Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në Shqipëri ka hedhur në konsultim publik një projekt-rregullore që synon thjeshtimin e procedurave për licencimin e kompanive që operojnë në sektorin e energjisë elektrike, përfshirë prodhuesit, operatorët e impianteve të depozitimit dhe tregtuesit e energjisë.
Një nga ndryshimet kryesore të propozuara është eliminimi i detyrimit për kompanitë që të dorëzojnë përsëri dokumentet të cilat tashmë gjenden në dosjet e ERE-s, për aq kohë sa ato janë ende të vlefshme dhe nuk kanë pësuar ndryshime.
Sipas projekt-rregullores, procedurat e thjeshtuara do të zbatohen për prodhuesit dhe operatorët e impianteve të depozitimit të energjisë që janë të lidhur në rrjetin e shpërndarjes, si dhe për kompanitë që aplikojnë për licencë të tregtimit të energjisë elektrike.
Drafti parasheh që ERE të marrë vetë informacionet që janë në dispozicion në regjistrat publikë, pa ia kërkuar aplikuesit dokumentacionin përkatës. Në rastet kur dosjet e aplikimit kanë mangësi, rregullatori do t’i njoftojë kompanitë me shkrim për dokumentet që mungojnë dhe arsyet pse kërkohen ato.
Kriteret financiare për tregtuesit e energjisë
Projekt-rregullorja përcakton edhe mënyrën e vlerësimit të kapaciteteve financiare për kompanitë që kërkojnë licencë për tregtimin e energjisë elektrike.
Sipas propozimit, aplikuesit duhet të dëshmojnë se kanë kapacitet financiar për të mbuluar së paku një muaj aktivitet tregtar. Vlerësimi do të bazohet në sasinë e energjisë që kompania planifikon të tregtojë dhe në çmimin mujor të tregut të Ditës në Avancë në ALPEX për muajin paraprak ndaj aplikimit.
Procedura të veçanta për impiantet e depozitimit
Rregulla të posaçme parashikohen edhe për operatorët e impianteve të depozitimit të energjisë që përfitojnë nga regjimi kalimtar.
Në këto raste, dokumentacioni që është dorëzuar gjatë regjistrimit dhe që vazhdon të jetë i vlefshëm do të shfrytëzohet edhe gjatë procedurës së licencimit, duke shmangur përsëritjen e procedurave administrative.
Megjithatë, operatorët do të kenë detyrimin të deklarojnë çdo ndryshim që lidhet me pronësinë, kapacitetin, konfigurimin teknik apo kushtet e lidhjes së impiantit me rrjetin.
Për impiantet e depozitimit që janë të integruara me një kapacitet prodhues të energjisë elektrike, projekt-rregullorja parasheh mundësinë e modifikimit të licencës ekzistuese të prodhimit, në rastet kur plotësohen kushtet ligjore.
Ndryshimet e propozuara synojnë të reduktojnë barrën administrative për kompanitë që operojnë në sektorin energjetik të Shqipërisë, duke shmangur kërkesat e përsëritura për dokumentacion dhe duke përcaktuar më qartë kriteret për licencimin e aktiviteteve të reja, veçanërisht në fushën e depozitimit të energjisë.



