Kosova mund të përballet me ndërprerje të energjisë elektrike edhe gjatë këtij dimri, për shkak të pamjaftueshmërisë së prodhimit vendor për të mbuluar kërkesën dhe kostove të larta të importit. Ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, paralajmëron se mungesa e energjisë do të ketë pasoja veçanërisht për bizneset prodhuese, ndërsa masat emergjente të Qeverisë nuk pritet ta zgjidhin problemin në mënyrë afatgjatë.
Qeveria e Kosovës shpalli më 16 nëntor masa emergjente 60-ditore në sektorin e energjisë, duke përmendur çmimet e larta të importit dhe pasigurinë për rikthimin në punë të njësisë B1 të termocentralit “Kosova B”.
Masat përfshijnë shfrytëzimin e hidrocentralit të Ujmanit për rritjen e prodhimit në orët e pikut, kursimin e energjisë në institucionet publike dhe krijimin e një komiteti teknik për monitorimin e furnizimit, përcjell Energy Monitor.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria vendosi të ndalojë tregtimin e energjisë me ndërmarrjet e lidhura me Serbinë, me përjashtim të transaksioneve që burojnë nga marrëveshjet e dialogut për energjinë. Gjithashtu, e ngarkoi Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) të sigurojë kapacitete ndërkufitare për import gjatë dhjetorit.
Duke folur në podkastin “5 Pyetje” të Radios Evropa e Lirë, Çeku tha se ndërprerjet e energjisë elektrike janë të pritshme dhe se ato do të shkaktojnë kosto shtesë për ekonominë, veçanërisht për ndërmarrjet prodhuese që mund të detyrohen të përdorin gjeneratorë.
Sipas tij, politikat energjetike të Kosovës janë përqendruar kryesisht në riparimet e përkohshme të njësive ekzistuese të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, ndërsa investimet në kapacitete të reja të prodhimit, përfshirë energjinë nga dielli dhe era, kanë mbetur të pamjaftueshme.
Çeku vlerësoi se Kosova ka potencial për instalimin e rreth 5.000 megavatëve të kapaciteteve të energjisë së pastër, por se deri më tani është shfrytëzuar vetëm një pjesë e vogël e tij, rreth 2 deri në 3 për qind, transmeton Energy Monitor.
Ai e lidh mungesën e investimeve në prodhimin vendor edhe me shpenzimet e larta për importin e energjisë elektrike. Sipas tij, ndërtimi i një blloku të ri me kapacitet prej 300 deri në 400 megavatësh në termocentralin “Kosova A” do ta kishte zvogëluar ndjeshëm varësinë nga importi.
Çeku: Ndalimi i tregtisë me kompanitë serbe nuk e ul çmimin e energjisë
Duke komentuar vendimin e Qeverisë për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe, ish-ministri tha se nuk pret që kjo masë të ndikojë në uljen e çmimit të energjisë.
Sipas tij, furnizimi me energji duhet të mbështetet në funksionimin e tregut dhe në mundësinë e sigurimit të energjisë me kosto sa më të ulët për konsumatorët dhe bizneset.
Çeku kërkoi gjithashtu bashkëpunim më të madh energjetik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, veçanërisht në shkëmbimin e energjisë elektrike dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme në të dyja vendet.
Ai përmendi si mundësi bashkëpunimin afatgjatë me Korporatën Energjetike të Shqipërisë (KESH), duke theksuar rëndësinë e koordinimit ndërmjet dy vendeve për menaxhimin e prodhimit dhe furnizimit me energji.
Si një alternativë tjetër për diversifikimin e burimeve të furnizimit, Çeku përmendi edhe mundësinë e sigurimit të gazit amerikan përmes Maqedonisë së Veriut, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike pranë kufirit me këtë shtet.
Masat 60-ditore nuk e zgjidhin problemin afatgjatë
Sa u përket masave emergjente të Qeverisë, Çeku shprehu dyshime se ato do të kenë ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
Ai iu referua në veçanti mundësisë së rritjes së prodhimit nga sistemi Ibër-Lepenc në orët e pikut, duke theksuar se kjo varet nga reshjet dhe sasia e ujit të akumuluar, përcjell Energy Monitor.
Për tejkalimin e problemeve strukturore në sektor, Çeku kërkoi rehabilitimin e thellë të njësive të termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”, ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese dhe krijimin e kushteve për investime private në energjinë solare.
Megjithatë, sipas tij, Kosova nuk mund ta eliminojë varësinë nga importi brenda një apo dy vjetësh. Ndërtimi i një blloku të ri termocentrali do të kërkonte së paku katër deri në pesë vjet, ndërsa zhvillimi i kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme mund të marrë dy deri në tre vjet.
Kësisoj, sfida e furnizimit me energji elektrike mbetet e lidhur jo vetëm me disponueshmërinë e njësive ekzistuese gjatë muajve të dimrit, por edhe me ritmin e investimeve në kapacitete të reja prodhuese dhe diversifikimin e burimeve të energjisë.



