Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar masat emergjente të Qeverisë për përballimin e situatës energjetike, duke i cilësuar ato si pa efekt për shkak të kapaciteteve të kufizuara të hidrocentralit të Ujmanit.
Në një reagim në Facebook, Ymeri krahasoi kapacitetin neto të njësisë B1 të termocentralit “Kosova B”, e cila është jashtë funksionit, me atë të hidrocentralit të Ujmanit.
Sipas saj, B1 ka kapacitet neto prej 264 megavatësh, ndërsa hidrocentrali i Ujmanit mund të prodhojë vetëm 35 megavatë, apo rreth 7.5 herë më pak.
“Praktikisht, masat qeveritare për nga kapaciteti janë pa efekt”, shkroi Ymeri.
Qeveria e Kosovës shpalli masa emergjente 60-ditore në sektorin e energjisë më 16 nëntor, në përgjigje të pasigurisë së furnizimit dhe çmimeve të larta të importit të energjisë elektrike.
Masat përfshijnë shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese të hidrocentralit të Ujmanit, veçanërisht gjatë orëve të pikut, kursimin e energjisë në institucionet publike dhe monitorimin e situatës përmes një komiteti teknik.
Ndërkohë, njësia B1 e termocentralit “Kosova B” mbetet një nga faktorët që rëndojnë bilancin e prodhimit vendor, në një periudhë kur kërkesa për energji elektrike pritet të rritet për shkak të temperaturave të ulëta.



