Home / Lajme / Rajoni / Maqedonia e Veriut synon uljen e çmimit të energjisë elektrike deri në 10%

Maqedonia e Veriut synon uljen e çmimit të energjisë elektrike deri në 10%

Maqedonia e Veriut po përgatit një model të ri në tregun e energjisë elektrike që synon uljen e faturave për konsumatorët shtëpiakë, në një kohë kur shumica e vendeve evropiane vazhdojnë të përballen me çmime të larta të energjisë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se qeveria po punon në krijimin e një “portofoli të konsumatorëve”, i cili do të harmonizohet mes prodhuesit shtetëror të energjisë EMV dhe furnizuesit universal EVN Home.

Sipas tij, modeli i ri pritet të jetë gati para tenderit vjetor për furnizimin me energji elektrike dhe mund të sjellë ulje të çmimit të energjisë për qytetarët nga 5% deri në 10%.

“Jam optimist i moderuar se mund të sigurojmë një çmim mesatar të energjisë elektrike 5% deri në 10% më të ulët se ai aktual, duke shfrytëzuar përfitimet e energjisë së ripërtëritshme, veçanërisht energjisë diellore”, tha Mickoski.

Ai shtoi se qeveria po përgatit treguesit e nevojshëm për tenderin e fundvitit, me synimin që qytetarët të përfitojnë nga kostot më të ulëta të prodhimit të energjisë.

Sipas kryeministrit, nëse plani realizohet, Maqedonia e Veriut mund të jetë një nga vendet e pakta në Evropë që do të regjistrojë ulje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët gjatë vitit të ardhshëm.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com