Home / Lajme / Kosova / Surroi: Kosova nuk ka varësi nga gazi rus, debati për LNG nuk duhet politizuar

Surroi: Kosova nuk ka varësi nga gazi rus, debati për LNG nuk duhet politizuar

Veton Surroi, në një shkëputje nga kolumna e tij e nesërme në “Koha Ditore”, thotë se debati rreth mundësisë së kyçjes së Kosovës në rrjetet e furnizimit me gaz LNG amerikan po ndërtohet mbi premisa të pasakta dhe po politizohet tej mase.

Sipas tij, ideja se zgjedhja për ose kundër gazit amerikan ndikon në “varësinë nga Rusia” nuk qëndron në rastin e Kosovës.

“E para është se vendimi për apo kundër nuk do ta shpëtonte Kosovën nga varësia ruse e gazit… Kosova nuk ka blerë gaz prej Rusisë dhe ekonomia e amvisëritë e saj nuk përdorin gazin… Kosova nuk ka varësi energjetike prej Rusisë, pra nuk ka si të pavarësohet.”

Surroi thekson se, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe traditës së përdorimit të gazit, çështja nuk duhet trajtuar si pozicion gjeopolitik apo si çështje besnikërie ndaj partnerëve ndërkombëtarë, njofton Energy Monitor.

“Blerja apo jo e gazit amerikan nuk ka të bëjë me besnikëri apo jo ndaj SHBA-ve por ka të bëjë me vendim strategjik për zhvillimin e sektorit të energjetikës si pjesë e zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik.”

Ai shton se vendimet e tilla kërkojnë analizë të thelluar dhe nuk duhet të reduktohen në debate të thjeshtuara politike.

“Vendimet strategjike kanë pasoja afatgjata, kanë nevojë për studim të gjithanshëm dhe tejkalojnë zënkat e politikës ditore…”

Në fund, Surroi kritikon mënyrën e zhvillimit të debatit publik, duke thënë se mungojnë argumentet dhe dominojnë zërat e zhurmshëm.

“Ngritja e zërit zhurmues në debat nuk e ngritë vlerën e argumenteve. Këto ditë, për fat të keq ka shumë zhurmë, pak argumente.”

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com