Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria marrëveshje me kompaninë energjetike italiane për studimet për HUB të naftës dhe gazit

Shqipëria marrëveshje me kompaninë energjetike italiane për studimet për HUB të naftës dhe gazit

Shqipëria ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me kompaninë italiane ENI S.p.A., me qëllim studimin e fizibilitetit për krijimin e kapaciteteve kombëtare të furnizimit dhe magazinimit të produkteve të naftës dhe gazit, si pjesë e përpjekjeve për forcimin e sigurisë energjetike dhe rritjen e rolit të vendit në tregun rajonal të energjisë.

Memorandumi u nënshkrua në prani të kryeministrit Edi Rama nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.

Sipas palëve, marrëveshja hap rrugën për realizimin e studimeve teknike, ekonomike, financiare, ligjore dhe rregullatore që do të vlerësojnë mundësinë e krijimit të një HUB-i kombëtar për produktet energjetike, si dhe zhvillimin e kapaciteteve për magazinimin e rezervave strategjike të naftës dhe gazit.

Ministri Karakaçi tha se siguria energjetike është një element themelor i sigurisë kombëtare dhe zhvillimit ekonomik, duke theksuar se objektivi i qeverisë është rritja e sigurisë së furnizimit dhe ulja e ekspozimit ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare.

Ai bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përgatitur edhe projektligjin për krijimin dhe menaxhimin e rezervave strategjike të naftës, i cili pritet t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim.

“Nuk po marrim një vendim përfundimtar për një investim, por po ndërmarrim hapin e nevojshëm për të studiuar me seriozitet të gjitha alternativat që mund të kontribuojnë në sigurinë energjetike të vendit”, deklaroi Karakaçi.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi marrëveshjen si hapin e parë drejt krijimit të një strukture të re që do të mund të garantonte rezervat strategjike të tregut të hidrokarbureve në Shqipëri.

Sipas tij, bashkëpunimi me ENI-n lidhet me synimin për të ndërtuar një model të ri në tregun e hidrokarbureve, i cili do të forconte sigurinë e furnizimit dhe do të rriste kapacitetet e vendit për përballimin e krizave të mundshme energjetike.

ENI është një nga kompanitë më të mëdha energjetike në Evropë dhe prej vitesh operon në Shqipëri në sektorin e hidrokarbureve. Përmes memorandumit të ri, kompania do të mbështesë analizimin e mundësive për zhvillimin e infrastrukturës së magazinimit dhe furnizimit me produkte energjetike, ndërsa çdo vendim për investime konkrete do të varet nga rezultatet e studimeve të fizibilitetit që do të realizohen në fazat e ardhshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com