Home / Lajme / Kosova / FKEE: 80 shkolla dhe çerdhe të modernizuara me sisteme të reja ngrohjeje, investimet pritet të vazhdojnë

FKEE: 80 shkolla dhe çerdhe të modernizuara me sisteme të reja ngrohjeje, investimet pritet të vazhdojnë

Përmirësimi i kushteve të ngrohjes në institucionet arsimore mbetet një nga prioritetet kryesore të investimeve në infrastrukturën publike në Kosovë, me fokus të veçantë në shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve.

Në diskutimin me temën “Ngrohja e shkollave dhe shëndeti i fëmijëve: sfidat e mjedisit shkollor dhe ndikimi në mirëqenien e nxënësve”, të organizuar me rastin e publikimit të raportit të Institutit Atlasi mbi kushtet e ngrohjes në shkollat e Kosovës, drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Njomza Hoxha, theksoi rëndësinë e investimeve të vazhdueshme në sisteme moderne dhe më efikase të ngrohjes.

Sipas saj, përmirësimi i infrastrukturës energjetike në ndërtesat publike nuk ndikon vetëm në kursimin e energjisë, por ka ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së nxënësve dhe kushteve të mësimit gjatë sezonit të dimrit.

Hoxha bëri të ditur se deri më tani janë realizuar 102 projekte në ndërtesa publike, prej të cilave 80 kanë përfshirë shkolla dhe çerdhe. Në këto objekte, sipas saj, është ndërhyrë në sistemet e ngrohjes përmes modernizimit ose zëvendësimit të pajisjeve të vjetra me zgjidhje më efikase dhe më të qëndrueshme, njofton Energy Monitor.

Ajo shtoi se këto investime kanë për qëllim jo vetëm përmirësimin e komoditetit termik në shkolla, por edhe rritjen e efikasitetit energjetik dhe uljen e kostove operative për institucionet publike. Në këtë drejtim, FKEE ka paralajmëruar se projektet e tilla do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, duke u fokusuar në zgjerimin e ndërhyrjeve në më shumë shkolla dhe çerdhe në të gjithë vendin.

Njëkohësisht, Hoxha u bëri thirrje komunave që të identifikojnë dhe prioritizojnë institucionet arsimore me nevojat më të mëdha për përmirësim të sistemeve të ngrohjes gjatë aplikimit në thirrjet publike të fondit.

Sipas FKEE-së, investimi në kushte më të mira të ngrohjes në shkolla konsiderohet një investim i drejtpërdrejtë në shëndetin, mirëqenien dhe zhvillimin afatgjatë të fëmijëve në Kosovë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com