Home / Lajme / Kosova / Banka Botërore riafirmon mbështetjen për FKEE-në dhe investimet në efiçiencën e energjisë

Banka Botërore riafirmon mbështetjen për FKEE-në dhe investimet në efiçiencën e energjisë

Banka Botërore ka riafirmuar gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), me fokus në zhvillimin e investimeve dhe zbatimin e masave për kursimin e energjisë në Kosovë.

Në zyrat e FKEE-së është zhvilluar një takim ndërmjet drejtoreshës menaxhuese të Fondit, Njomza Hoxha, dhe një delegacioni të Bankës Botërore, në përbërje të të cilit ishin Stephanie Gil, menaxhere rajonale e energjisë për Evropën dhe Azinë Qendrore, dhe Carole Megevand, menaxhere e Bankës Botërore për Kosovën.

Sipas njoftimit të FKEE-së, Hoxha ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme, duke e cilësuar atë si partnere kyçe të Fondit që nga themelimi i tij. Ajo ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në realizimin e projekteve të ardhshme, përcjell Energy Monitor.

Nga ana tjetër, Stephanie Gil ka vlerësuar rolin e FKEE-së si institucion dhe partner të Bankës Botërore, duke përmendur rezultatet e arritura ndër vite.

Ndërkaq, Megevand ka rikonfirmuar përkushtimin e Bankës Botërore për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetje të investimeve dhe masave për efiçiencën e energjisë në Kosovë.

Banka Botërore ka qenë një nga partnerët kryesorë në zhvillimin e sektorit të efiçiencës së energjisë në Kosovë, përfshirë mbështetjen për themelimin dhe funksionimin e FKEE-së, i cili financon masa për renovimin energjetik të ndërtesave publike dhe private.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com