Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka konstatuar se ndërmarrja publike “Termokos” nuk ka menaxhuar në mënyrë efektive sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë, duke evidentuar pabarazi në shpërndarjen e energjisë termike, mangësi në sistemin e matjes dhe faturimit, si dhe mungesë të kapaciteteve rezervë për furnizim, ka raportuar Kallxo.com.
Sipas raportit të auditimit të performancës “Efektiviteti i shërbimit të ngrohjes qendrore – Termokos”, i cili mbulon periudhën 2023–2025, ndërmarrja ka furnizuar gjithsej 27,124 konsumatorë. Megjithatë, shpërndarja e energjisë termike vlerësohet si e pabalancuar.
ZKA thekson se banorët e lagjeve si Dardania dhe Ulpiana përballen me mbingrohje, ndërsa në lagjet Kodra e Diellit dhe Mati 1, furnizimi me ngrohje është i pamjaftueshëm, duke krijuar pabarazi të dukshme në shërbim.
“Termokos nuk ofron shërbim efektiv të ngrohjes qendrore për qytetarët e Prishtinës. Shpërndarja e energjisë termike është e pabalancuar dhe si pasojë disa lagje kanë mbingrohje, ndërsa të tjera furnizohen në mënyrë të pamjaftueshme”, thuhet në raport, transmeton Energy Monitor.
Sa i përket infrastrukturës, nga 895 nënstacione të rrjetit, 869 janë aktive, por 285 prej tyre nuk janë të integruara në sistemin SCADA, ndërsa 59 nuk kanë pajisje matëse. Kjo, sipas auditorëve, e bën të pamundur monitorimin dhe kontrollin efektiv të temperaturës në rrjet.
Raporti evidenton gjithashtu probleme serioze në faturim. Pavarësisht se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar në vitin 2022 metodologjinë e faturimit sipas konsumit real, Termokos vazhdon të aplikojë një metodologji të ndryshme, të konsideruar si kalimtare.
Sipas ZKA-së, rreth 46.5% e konsumatorëve faturohen sipas sipërfaqes së banesës, ndërsa 5.61% e konsumatorëve me matës vazhdojnë të faturohen në këtë mënyrë për shkak të pajisjeve jashtë funksionit.
Një tjetër gjetje lidhet me mungesën e verifikimit të sipërfaqeve ngrohëse për më shumë se një dekadë, çka ka rezultuar në mbi 16,700 metra katrorë të pafaturuar për periudha të gjata. Po ashtu, regjistrimi i konsumatorëve të rinj është bërë shpesh mbi baza jozyrtare, duke rritur rrezikun për pasaktësi në faturim.
ZKA ngre shqetësime edhe për sigurinë e furnizimit, duke theksuar se Termokos varet plotësisht nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe nuk disponon kapacitete rezervë për prodhim, pëcjell Energy Monitor.
“Termokos nuk ka kapacitete rezervë për prodhimin e energjisë termike dhe varet plotësisht nga KEK-u, duke rrezikuar furnizimin e qëndrueshëm”, thuhet në raport.
Raporti shton se kaldajat ekzistuese janë jashtë funksionit dhe, pavarësisht rekomandimeve të ekspertëve për kalimin në sisteme me gaz, nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për modernizim.
Për përmirësimin e gjendjes, ZKA ka dhënë nëntë rekomandime, përfshirë vendosjen e pajisjeve matëse për të gjithë konsumatorët, zbatimin e metodologjisë së miratuar të faturimit dhe integrimin e plotë të nënstacioneve në sistemin SCADA.
Sipas raportit, Termokos është pajtuar me gjetjet dhe është zotuar t’i zbatojë rekomandimet pa vërejtje.



