Home / Lajme / Tjera / Rreth 30% e pronave në Kosovë figurojnë ende në emër të personave të vdekur

Rreth 30% e pronave në Kosovë figurojnë ende në emër të personave të vdekur

Raporti i BIRN-it evidenton sfida të mëdha në sistemin pronësor: mbi 350 mijë ndërtime të palegalizuara, vetëm 21% e pronave në emër të grave dhe dhjetëra mijëra konteste ende të pazgjidhura.

Sistemi pronësor në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të thella strukturore që ndikojnë në sigurinë juridike, zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e tregut të pasurive të paluajtshme.

Sipas një raporti të publikuar nga BIRN në kuadër të projektit PIAKOS, rreth 30% e pronave në Kosovë vazhdojnë të jenë të regjistruara në emër të personave të vdekur. Nga afro 666 mijë pronarë të regjistruar në kadasër, vlerësohet se rreth 200 mijë bartës të së drejtës së pronësisë kanë ndërruar jetë, ndërsa procedurat e trashëgimisë nuk janë përfunduar, duke lënë një pjesë të konsiderueshme të pronave jashtë tregut formal.

Raporti evidenton gjithashtu se në Kosovë janë identifikuar 352,836 ndërtime të palegalizuara, ndërsa shumë objekte janë ndërtuar në prona të kontestuara ose në prona publike, duke e bërë procesin e legalizimit një nga sfidat kryesore institucionale.

Një tjetër problem mbetet përfaqësimi i ulët i grave në pronësi. Vetëm 21.27% e pronave janë të regjistruara në emër të grave, ndërsa raporti thekson se normat patriarkale, presioni familjar dhe heqja dorë nga trashëgimia vazhdojnë të kufizojnë realizimin praktik të të drejtave të tyre pronësore.

Sipas të dhënave të prezantuara, Departamenti i Tatimit në Pronë administron mbi 935 mijë njësi ndërtimore dhe afro 1.85 milion parcela të tatueshme në nivel vendi.

Raporti ngre shqetësime edhe për barrën e madhe mbi sistemin gjyqësor. Deri më 1 janar 2026, në gjykatat e Kosovës ishin të pazgjidhura 35,496 konteste pronësore. Ndërkohë, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, e cila trajton mosmarrëveshjet që lidhen me ndërmarrjet shoqërore, sipas raportit do të ketë nevojë për të paktën edhe 15 vjet për të përfunduar rastet ekzistuese nëse ritmi aktual i punës mbetet i pandryshuar.

Raporti vlerëson se mungesa e procedurave automatike të trashëgimisë, moskoordinimi ndërinstitucional dhe niveli i ulët i digjitalizimit vazhdojnë të pengojnë funksionimin efikas të sistemit pronësor.

Një kapitull i veçantë i raportit trajton edhe sfidat e komuniteteve jo-shumicë. Sipas gjetjeve, rreth 70% e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nuk posedojnë dokumentacion të rregullt pronësor, duke kufizuar qasjen e tyre në të drejtat pronësore dhe shërbimet publike.

Autorët e raportit rekomandojnë harmonizimin e legjislacionit, forcimin e koordinimit ndërinstitucional, avancimin e ndërveprueshmërisë digjitale ndërmjet institucioneve dhe masa shtesë për garantimin e barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale në sistemin pronësor.

Raporti është realizuar nga BIRN me mbështetjen e Bankës Botërore, përkatësisht Fondit për Paqe dhe Shtetndërtim (SPF), në kuadër të projektit PIAKOS.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com