Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka publikuar Raportin Vjetor për vitin 2025, duke paraqitur një vit të karakterizuar nga zgjerimi i investimeve, rritja e ndikimit në komunitete dhe avancimi i reformave në fushën e efiçiencës së energjisë në Kosovë.
Raporti pasqyron angazhimin institucional për të përmirësuar përdorimin e energjisë, për të ulur kostot për qytetarët dhe për të kontribuar në objektivat kombëtare të tranzicionit energjetik dhe mbrojtjes së klimës. Gjatë vitit 2025, FKEE ka vazhduar zbatimin e programeve të tij në nivel familjar, në ndërtesa shumëbanesore sociale dhe në objekte publike komunale, duke krijuar ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës në shumë komuna të vendit.
Në kuadër të rezultateve të arritura, 1,340 familje në Kosovë kanë përfituar masa të efiçiencës së energjisë, duke përmirësuar izolimin dhe performancën energjetike të shtëpive të tyre dhe duke ulur ndjeshëm shpenzimet mujore për energji. Po ashtu, 28 ndërtesa shumëbanesore sociale në 13 komuna janë përfshirë në projekte rinovimi energjetik, duke sjellë përmirësim të drejtpërdrejtë të kushteve të banimit për qindra familje. Ndërkohë, 17 ndërtesa publike komunale janë mbështetur me masa të efiçiencës së energjisë, duke ndikuar në rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike dhe uljen e konsumit të energjisë në nivel institucional, përcjell Energy Monitor.
Përveç rezultateve konkrete në terren, raporti thekson edhe zhvillimet në qeverisjen institucionale, menaxhimin financiar dhe transparencën, si dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë. FKEE vlerëson se këto arritje janë rezultat i një qasjeje të qëndrueshme dhe të koordinuar, e cila ka kontribuar në konsolidimin e rolit të institucionit si një nga mekanizmat kyç të zbatimit të politikave të efiçiencës së energjisë në vend.
Institucioni ka shprehur mirënjohje për përfituesit, komunat partnere, donatorët dhe stafin, duke theksuar se rezultatet e vitit 2025 janë fryt i bashkëpunimit të gjerë dhe të vazhdueshëm në drejtim të një sistemi energjetik më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të përballueshëm për qytetarët e Kosovës.



