Balkan Green Foundation ka mbajtur Forumin e Dytë Vjetor për Llogaridhënie në Energji, ku janë mbledhur përfaqësues të institucioneve publike, partnerëve zhvillimorë, donatorëve, shoqërisë civile dhe sektorit privat.
Forumi u përqendrua në zbatimin e Strategjisë së Energjisë së Kosovës 2022–2031, duke diskutuar progresin e arritur deri më tani, sfidat kryesore në sektor dhe hapat e nevojshëm për përshpejtimin e tranzicionit energjetik në vend.
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në sektorin energjetik, si elemente kyçe për forcimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më efikas, njofton Energy Monitor.
Sipas organizatorëve, forumi ka shërbyer si platformë për dialog të hapur ndërmjet institucioneve dhe palëve të interesit, me qëllim adresimin e sfidave aktuale dhe përmirësimin e zbatimit të politikave energjetike.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Empowering Environmental Civil Society Organizations in Kosovo (EECSOK)”, i implementuar nga Community Development Fund (CDF) dhe i mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë.
Raporti përfundimtar i forumit pritet të publikohet në ditët në vijim.



