Home / Lajme / Kosova / MINTI do të vazhdojë rregullimin e çmimeve të naftës edhe në korrik

MINTI do të vazhdojë rregullimin e çmimeve të naftës edhe në korrik

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka vendosur të vazhdojë edhe për 30 ditë masën e përkohshme të rregullimit të çmimeve maksimale të produkteve të naftës, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe stabilizimin e tregut.

Sipas vendimit, masa është marrë pas monitorimit të vazhdueshëm të tregut dhe analizës së të dhënave të Doganës së Kosovës, të cilat tregojnë se çmimet e importit të derivateve nuk kanë shënuar ulje. Ministria thekson se në shumë raste ndryshimet në tregjet ndërkombëtare reflektohen më shpejt në rritje të çmimeve, ndërsa uljet nuk përcillen në mënyrë të plotë ose me vonesë në tregun vendor.

Me vendimin e ri, çmimi maksimal i shitjes me shumicë do të llogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të furnizimit të evidentuar nga Dogana e Kosovës, plus 2 cent për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë çmimi mesatar i furnizimit plus 12 cent për litër, përcjell Energy Monitor.

MINTI u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve tregtare në sektorin e naftës që të respektojnë çmimet e përcaktuara dhe të sigurojnë furnizim të rregullt në treg, ndërsa zbatimi i vendimit do të mbikëqyret nga institucionet përkatëse të tregut, Dogana dhe ATK.

Ministria thekson se kjo masë synon mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e pajustifikuara të çmimeve, ruajtjen e konkurrencës së ndershme dhe garantimin e funksionimit transparent të tregut të derivateve, ndërsa shkeljet e vendimit do të sanksionohen sipas legjislacionit në fuqi.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com