Home / Lajme / Rajoni / Maqedonia e Veriut zgjat afatin për subvencionet për kyçje në rrjetin e gazit natyror

Maqedonia e Veriut zgjat afatin për subvencionet për kyçje në rrjetin e gazit natyror

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka zgjatur deri më 31 tetor 2026 afatin për aplikim për subvencionet që mbështesin kyçjen e amvisërive në rrjetin e gazit natyror. Vendimi është miratuar përmes ndryshimeve në Programin për nxitjen e furnizimit me gaz për vitin 2026 dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare.

Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale njoftoi se zgjatja e afatit synon t’u japë mundësi më shumë qytetarëve të përfitojnë nga mbështetja financiare për instalimin e sistemeve me gaz natyror.

Sipas programit, amvisëritë mund të përfitojnë deri në 30.000 denarë, ose deri në 70 për qind të shpenzimeve të realizuara për kyçje në rrjetin e gazit natyror ose për blerjen e një kaldaje me gaz.

Për zbatimin e kësaj mase janë ndarë 3 milionë denarë, ndërsa fondet do të shpërndahen sipas parimit “i pari që aplikon, i pari që përfiton”, deri në shterimin e buxhetit të paraparë.

Të drejtë aplikimi kanë amvisëritë që gjatë vitit 2026 do ta lidhin objektin e tyre me rrjetin e gazit natyror, si dhe familjet që do të blejnë një kaldajë me gaz për objekte që kanë qenë të kyçura në rrjet para 1 janarit 2026. Çdo amvisëri mund të dorëzojë vetëm një kërkesë.

Ministria u ka bërë thirrje qytetarëve që të dorëzojnë aplikimet brenda afatit të ri, ndërsa pas përfundimit të tij kërkesat do të shqyrtohen nga një komision i posaçëm. Subvencionet do t’u transferohen të gjithë aplikuesve që plotësojnë kushtet e përcaktuara në program.

Sipas Ministrisë së Energjisë, masa synon të ulë kostot e ngrohjes për familjet, të rrisë efikasitetin energjetik dhe të inkurajojë përdorimin e burimeve më të pastra të energjisë, si pjesë e politikave për një sistem energjetik më të qëndrueshëm në Maqedoninë e Veriut.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com