KOSTT ka shënuar 20-vjetorin e themelimit, me drejtues të institucioneve dhe kompanisë që kanë vlerësuar rolin e operatorit në zhvillimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, integrimin në tregjet rajonale dhe përgatitjen për tranzicionin energjetik.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka cilësuar KOSTT-in si një histori suksesi për Kosovën, duke theksuar se gjatë dy dekadave të fundit janë realizuar investime të rëndësishme në rrjetin e transmetimit dhe në zhvillimin e tregut të energjisë.
“Rrjeti i transmetimit nuk është vetëm çështje teknike, është parakusht për sigurinë energjetike dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Kurti gjatë ceremonisë për shënimin e përvjetorit.
Ai ka përmendur edhe krijimin e bursës shqiptare të energjisë ALPEX, duke e vlerësuar bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri si një hap drejt një tregu më konkurrues dhe më të integruar.
Sipas Kurtit, volumi i tregtimit në tregun e ditës në ALPEX është rritur nga 1,172 GWh gjatë vitit 2024 në 1,670 GWh në vitin 2025, ndërsa gjatë gjysmës së parë të vitit 2026 ka arritur në 1,180 GWh.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka theksuar se një nga sfidat më të mëdha të KOSTT-it ndër vite ka qenë furnizimi me energji i katër komunave veriore të Kosovës dhe mosmbulimi i kostove përkatëse.
Sipas saj, kjo situatë i ka kushtuar Kosovës mbi 350 milionë euro dhe është zgjidhur pas vitit 2024, kur KOSTT u lirua nga kjo barrë. Ajo ka ngritur gjithashtu shqetësimin për bllokimin e disa linjave energjetike nga Serbia, duke thënë se kjo ndikon në sistemin energjetik të Kosovës dhe rajonit.
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të KOSTT-it, Gëzim Tosuni, ka deklaruar se kompania është shndërruar në një nga shtyllat strategjike të sektorit energjetik.
Sipas tij, ndër arritjet kryesore të dy dekadave të fundit janë pavarësimi energjetik dhe njohja ndërkombëtare e KOSTT-it, adresimi i çështjes së furnizimit në veri dhe zhvillimi i infrastrukturës së transmetimit dhe tregut energjetik.
Kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, ka bërë të ditur se kompania do të vazhdojë investimet në modernizimin dhe përforcimin e rrjetit të transmetimit.
Ai ka theksuar se rrjeti i së ardhmes nuk do të jetë vetëm infrastrukturë fizike, por një sistem më dinamik dhe kompleks, i cili do të integrojë kapacitete më të mëdha nga energjia diellore dhe e erës, si dhe burime të shpërndara të prodhimit.
“Rrjeti i së ardhmes do të ndryshojë vazhdimisht, duke kërkuar fleksibilitet dhe teknologji të reja për menaxhimin e sistemit”, ka thënë Tërnava.
KOSTT u themelua në vitin 2006 dhe gjatë këtyre dy dekadave ka kaluar nga një operator i ri i transmetimit në një institucion kyç për funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe integrimin e tij në tregun rajonal të energjisë.



