Hungaria, Serbia dhe Rusia po intensifikojnë bashkëpunimin energjetik me ndërtimin e një naftësjellësi të ri që lidh Serbinë me Hungarinë, duke anashkaluar sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Moskës dhe duke rritur shqetësimet për sigurinë energjetike dhe politike të kontinentit.
Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviç Handanoviç, zhvilloi më 21 korrik një takim me zëvendësministrin rus të Energjisë, Pavel Sorokin, dhe ministrin e Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, për të diskutuar projektin që mbështetet nga të tre qeveritë.
Sipas saj, ky naftësjellës do t’i japë Serbisë mundësinë e sigurimit të naftës së papërpunuar përmes Hungarisë, duke e lidhur për herë të parë me një nga rrjetet më të mëdha të naftësjellësve në Evropë. “Diversifikimi i burimeve të furnizimit është i rëndësishëm për të qenë më të sigurt dhe më pak të varur nga një burim i vetëm, veçanërisht në këtë kontekst të paqëndrueshëm gjeopolitik,” tha ajo.
Megjithatë, ky projekt shihet me shqetësim nga BE-ja dhe vendet perëndimore, pasi ndodh në kohën kur Rusia është nën sanksione të rënda për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Serbia dhe Hungaria, dy vende që vazhdojnë të ruajnë lidhje të ngushta me Moskën, po rrezikojnë të minojnë përpjekjet evropiane për izolimin energjetik të Rusisë dhe frenimin e financimit të luftës.
Hungaria dhe Serbia bisedojnë me Rusinë për ndërtimin e një naftësjellësi
Ky naftësjellës do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me naftë më të lirë nga Urali përmes naftësjellësit rus Druzhba (“Miqësia”), duke e bërë vendin edhe më të varur nga kompanitë ruse të energjisë. Kjo përforcohet nga fakti që kompania serbe e naftës NIS, e cila kontrollohet në masë të madhe nga Gazprom Neft dhe Gazprom, mbetet nën sanksionet amerikane për shkak të lidhjeve të saj me Rusinë.
Ndonëse Gazprom Neft transferoi rreth 5% të aksioneve tek Gazprom për të ulur përqindjen nën 50%, kompanitë ruse vazhdojnë të zotërojnë shumicën në NIS, duke rritur më tej varësinë e Serbisë nga Moska.
Ky bashkëpunim Rusi-Hungari-Serbi, në kundërshtim me frymën e sanksioneve ndërkombëtare, vjen në një kohë kur agresioni rus ndaj Ukrainës ka destabilizuar kufijtë lindorë të Evropës, ndërsa tani rrezikon të shndërrojë Ballkanin në një hallkë të dobët energjetike dhe gjeopolitike për të gjithë kontinentin.