Home / Lajme / Kosova / Përveç tarifës së shkyçjes, nga 1 shtatori konsumatorët në Kosovë do të paguajnë edhe tarifën e rikyçjes

Përveç tarifës së shkyçjes, nga 1 shtatori konsumatorët në Kosovë do të paguajnë edhe tarifën e rikyçjes

Nga 1 shtatori 2026, konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë që janë shkyçur nga rrjeti për shkak të mospagesës së detyrimeve financiare do të paguajnë edhe tarifën e rikyçjes. KESCO njoftoi se është informuar zyrtarisht nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) për fillimin e zbatimit të kësaj tarife, në përputhje me Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Sipas njoftimit të KESCO-s, tarifa e rikyçjes do të zbatohet për konsumatorët që janë shkyçur nga rrjeti për shkak të mospagesës dhe që më pas kërkojnë rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Kjo tarifë do të aplikohet krahas tarifës së shkyçjes, e cila tashmë është në fuqi sipas rregullativës së ZRRE-së. Kështu, konsumatorët që nuk i shlyejnë detyrimet në kohë mund të përballen me kosto shtesë si për procesin e shkyçjes, ashtu edhe për rikyçjen e furnizimit.

KESCO bëri të ditur se, me qëllim të informimit në kohë të konsumatorëve, njoftimi do të publikohet në kanalet zyrtare të komunikimit të kompanisë dhe do të përfshihet edhe në faturat mujore që do të shpërndahen gjatë muajit gusht, përcjell Energy Monitor.

Kompania u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që t’i paguajnë faturat e energjisë elektrike brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë që të shmangin procedurat e shkyçjes dhe kostot shtesë që lidhen me shkyçjen dhe rikyçjen e furnizimit me energji elektrike.

Rregulla për Shkyçje dhe Rikyçje, e miratuar nga ZRRE-ja, përcakton procedurat dhe kushtet që operatori i sistemit të shpërndarjes duhet të ndjekë gjatë ndërprerjes dhe rikthimit të furnizimit me energji elektrike, përfshirë edhe rastet e mospagesës së detyrimeve nga konsumatorët.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com