Home / Lajme / Kosova / Vuçiç paralajmëron studimin e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, Pacolli: Resurset ujore nuk mund të përdoren si kërcënim

Vuçiç paralajmëron studimin e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, Pacolli: Resurset ujore nuk mund të përdoren si kërcënim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se Serbia po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e lumit Ibër, një deklaratë që ka nxitur reagim nga autoritetet e Kosovës për shkak të rëndësisë së lumit për sistemin Ibër-Lepenc dhe liqenin e Ujmanit.

Gjatë një deklarate për mediat në Beograd, Vuçiç tha se për këtë çështje janë angazhuar ekspertë, inxhinierë dhe profesionistë të sektorit të ndërtimit. Ai e lidhi mundësinë e ndërhyrjes me atë që e cilësoi si trajtim të padrejtë të komunitetit serb në Kosovë.

Sipas Vuçiçit, ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit daton që nga viti 1985 dhe lidhet me nevojat e zonave të banuara pranë liqenit. Ai pretendoi se një ndërhyrje e tillë mund të ndikojë edhe në liqenin e Ujmanit.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë”, tha Vuçiç, duke shtuar se Serbia ka “arsye të ndryshme” për të shqyrtuar ndryshimin e rrjedhës së Ibrit.

Megjithatë, presidenti serb nuk dha detaje konkrete se çfarë ndërhyrjeje do të kryhej dhe nuk është bërë e qartë nëse ekziston një projekt konkret apo nëse bëhet fjalë vetëm për një mundësi që aktualisht po studiohet.

Pacolli: Çështje e sigurisë ujore dhe energjetike

Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, reagoi duke e cilësuar deklaratën si “thellësisht shqetësuese dhe të papranueshme”.

Pacolli iu referua Konventës së Helsinkit për ujërat ndërkufitare, duke theksuar se shtetet kanë detyrim të bashkëpunojnë për përdorimin e drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave dhe të parandalojnë dëmet ndërkufitare.

Ajo tha se liqeni i Ujmanit dhe sistemi Ibër-Lepenc janë infrastrukturë kritike strategjike për Kosovën, duke pasur rol në furnizimin me ujë të pijshëm, sektorin energjetik, bujqësi dhe mbrojtjen e ekosistemit.

Sipas Pacollit, çdo ndërhyrje e njëanshme në rrjedhat ujore apo në infrastrukturën ujore që mund të ketë pasoja për Kosovën duhet të trajtohet si çështje e sigurisë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore.

Ajo u bëri thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Kombeve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë që të reagojnë ndaj deklaratave të tilla dhe të kërkojnë respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Buzhala: Serbisë nga Kosova i shkojnë mbi 1.2 miliardë m³ ujë në vit

Publicisti Viktor Buzhala ka reaguar ndaj paralajmërimeve të Serbisë për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër, duke thënë se një veprim i tillë mund të krijojë precedent që do ta vendoste edhe Serbinë në pozitë të pafavorshme.

Në një reagim në Facebook, Buzhala pretendon se nga Kosova drejt Serbisë rrjedhin rreth 1.2–1.25 miliardë metra kub ujë në vit, ndërsa përmes Ibrit nga Serbia drejt Kosovës hyjnë rreth 350–440 milionë metra kub.

Sipas tij, vetëm Ibri, pasi bashkohet me Sitnicën dhe rrjedhat e tjera ujore në Kosovë, i dërgon Serbisë rreth 950–970 milionë metra kub ujë në vit, ndërsa Morava e Binçës shton edhe rreth 280 milionë metra kub.

Buzhala thotë gjithashtu se Kosova ka alternativa për furnizimin me ujë të termocentraleve të KEK-ut në rast të problemeve me Ujmanin. Sipas tij, për Kosovën A dhe B nevojiten rreth 22 milionë metra kub ujë në vit, ndërsa një sistem alternativ me kapacitet prej 1 m³/s do të siguronte rreth 31.5 milionë metra kub.

Ai përmend edhe mundësinë e përdorimit të ujit të Sitnicës, pas trajtimit, si dhe rritjen e kapacitetit të liqenit të Batllavës si alternativa të mundshme.

Buzhala paralajmëron se përdorimi i ujit si instrument presioni mund të ketë pasoja edhe për Serbinë, duke argumentuar se vendet në rrjedhën e sipërme mund të përdorin të njëjtin parim ndaj vendeve në rrjedhën e poshtme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com