Home / Lajme / Kosova / Rizvanolli jep detaje mbi marrëveshjen e KEK-ut për eksport të thëngjillit në Maqedoninë e Veriut

Rizvanolli jep detaje mbi marrëveshjen e KEK-ut për eksport të thëngjillit në Maqedoninë e Veriut

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditura detaje të marrëveshjes së fundit mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Elektranave të Maqedonisë së Veriut (EMV) për furnizimin me qymyr nga Kosova.

Sipas Rizvanollit, gjatë tre viteve KEK-u mund të eksportojë deri në 3 milionë tonë qymyr, me vlerë totale deri në 73.2 milionë euro. Çmimi i përcaktuar në marrëveshje është 24.4 euro për ton, pa TVSH.

Rizvanolli tha se kjo është hera e parë që një marrëveshje e tillë është lidhur drejtpërdrejt mes dy kompanive publike, KEK-ut dhe EMV-së, pa ndërmjetësues.

Sipas saj, çmimi i kontratës është dukshëm më i favorshëm për KEK-un krahasuar me një nga kontratat e mëparshme për eksportin e qymyrit drejt Maqedonisë së Veriut. Ajo tha se në atë rast qymyri ishte shitur për vetëm 8 euro për ton, duke përfshirë tantiemën prej 3 eurosh dhe TVSH-në, përcjell Energy Monitor.

Marrëveshja trevjeçare u nënshkrua më 17 gusht dhe parasheh furnizimin e termocentraleve të Maqedonisë së Veriut me qymyr nga pellgu i Obiliqit.

EMV ka bërë të ditur se për shkak të kapacitetit të pikës kufitare Bllacë, në praktikë pritet të transportohen rreth 800 mijë tonë qymyr në vit, ose rreth 2.4 milionë tonë gjatë tre viteve.

Sipas Rizvanollit, eksporti i qymyrit nuk do të ndikojë në prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë, pasi EMV do të jetë përgjegjëse për nxjerrjen dhe transportin e qymyrit që do të blihet nga KEK-u.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi pas përfundimit të procedurave për përzgjedhjen e operatorit që do të angazhohet për nxjerrjen, analizën, ngarkimin dhe transportin e qymyrit nga Obiliqi drejt termocentraleve në Manastir dhe Osllomej.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com