Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka ndaluar në mënyrë të kontrolluar njësinë A3 të Termocentralit Kosova A, pas evidentimit të një defekti teknik.
Sipas KEK-ut, njësia është ndaluar në ora 22:17, si masë parandaluese për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të pajisjeve dhe për të krijuar kushte të sigurta për ndërhyrjen teknike.
Ekipet e KEK-ut janë duke punuar për trajtimin dhe sanimin e defektit. Njësia A3 pritet të rikthehet në operim pas përfundimit të ndërhyrjeve dhe verifikimit të kushteve të sigurta për punë.
KEK nuk ka dhënë detaje për natyrën e defektit apo kohën e pritshme të rikthimit të njësisë në operim.



