Home / Lajme / Kosova / Shllaku kërkon transparencë për kontratën e shitjes së linjitit me Maqedoninë e Veriut

Shllaku kërkon transparencë për kontratën e shitjes së linjitit me Maqedoninë e Veriut

Eksperti Luan Shllaku ka kërkuar më shumë të dhëna dhe transparencë rreth kontratës trevjeçare për shitjen e linjitit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se marrëveshja nuk mund të gjykohet vetëm përmes krahasimeve me kontratat e kaluara.

Shllaku thotë se për të vlerësuar nëse çmimi aktual prej 24.4 euro për ton është i favorshëm, duhet të bëhen të ditura edhe kushtet e tjera të kontratës, përfshirë cilësinë e linjitit, mënyrën e transportit, taksat, rentën minerare dhe obligimet e palëve.

Sipas tij, një krahasim më relevant do të ishte me kontratat përmes të cilave Maqedonia e Veriut ka blerë linjit nga minierat në Greqi. Shllaku thekson se çmimi i paguar grekëve ka qenë më i lartë se 24.4 euro për ton, por kjo nuk mjafton për të nxjerrë përfundime pa i ditur kushtet e plota të këtyre kontratave.

“Duhet të dimë paritetin, kush e paguante nxjerrjen dhe transportin, cilësinë kalorifike, taksat, rentën minerare dhe kushtet tjera të kontratës”, ka shkruar Shllaku.

Ai i ka bërë thirrje ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që të publikojë të dhënat dhe parametrat që do të mundësonin një vlerësim profesional të marrëveshjes.

“Energjia dhe pasuria minerare kërkojnë shpjegime profesionale, jo improvizime e populizëm. Qytetarët meritojnë argumente, jo krahasime banale”, ka deklaruar Shllaku.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com