Home / Lajme / Kosova / Opozita kritikon marrëveshjen e KEK-ut për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut

Opozita kritikon marrëveshjen e KEK-ut për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut

Partitë opozitare kanë kritikuar marrëveshjen e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) me Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV) për shitjen e qymyrit, duke e lidhur atë me politikën energjetike të Qeverisë në detyrë dhe me importin e energjisë elektrike.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar anulimin e projekteve për prodhimin e energjisë në Kosovë, duke thënë se vendi tash po shet qymyr dhe në të njëjtën kohë blen energji elektrike.

Gjini: Po shesim qymyr dhe po blejmë energji 100-fish më shtrenjtë

“Kur u prish projekti energjetik me ContourGlobal, përsëri reagoi vetëm Aleanca”, ka deklaruar Gjini.

Sipas tij, qeveria ka dhënë arsye “nga më bizaret” për të mos prodhuar energji në Kosovë.

“Po duket se kjo qeveri ka gjetur arsyetime nga më bizaret për të mos prodhuar energji në Kosovë. Tani shesim qymyr e blejmë energji, madje 100 fish më shtrenjtë”, ka thënë Gjini.

Ai e ka cilësuar këtë situatë si karakteristikë të vendeve të prapambetura, duke e lidhur atë me mënyrën e qeverisjes në Kosovë.

Ymeri: 73.2 milionë eurot e kontratës janë sa importi i energjisë për 3-4 muaj

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, kishte kritikuar më herët marrëveshjen, duke thënë se vlera potenciale prej 73.2 milionë eurosh e kontratës trevjeçare është e përafërt me shpenzimet e Kosovës për importin e energjisë elektrike gjatë tre deri në katër muaj.

Ymeri kishte kritikuar politikën energjetike të Qeverisë dhe kishte vënë në pikëpyetje arsyet e shitjes së qymyrit në Maqedoninë e Veriut.

Ajo kishte thënë gjithashtu se çdo pretendim se marrëveshja për qymyr lidhet me sigurimin e energjisë elektrike nga Maqedonia e Veriut është “rrenë e kulluar”.

Haradinaj kërkon publikimin e kontratës dhe kostos së energjisë së importuar

Edhe anëtari i Kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, e kishte kritikuar marrëveshjen, duke kërkuar që KEK-u të publikojë kontratën dhe vlerën e shitjes së qymyrit.

Haradinaj kishte kërkuar gjithashtu që të bëhet publike vlera e energjisë elektrike që Kosova e blen nga Maqedonia e Veriut.

“Ne blejmë rrymë mbi 1 miliard euro dhe i shesim qymyr njërit nga shtetet prej të cilit blejmë rrymë”, kishte deklaruar Haradinaj, duke e cilësuar marrëveshjen si “krim”.

Hoti: Eksportojnë thëngjill, importojnë energji të prodhuar nga ai thëngjill

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se eksporti i thëngjillit tregon varfërinë ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim nga qeveritarët, të cilët i cilësoi “të padijshëm” dhe “të mbrapshtë”.

Ish-kryeministri shkroi në një postim se “pas anulimit të projekteve madhore energjetike, Kosova tash krenohet me eksportin e thëngjillit. E në anën tjetër, importon enegjinë e prodhuar nga ai thëngjill”.

“Dhe kjo ndodh pas 6 vitesh të LVV-së në krye të qeverisë, gjatë të cilave vite asnjë kapacitet i ri energjetik stabil nuk është ndërtuar, as me thëngjill e as me gaz. Ky na qenka “tranzicioni energjetik” i Kosovës nën udhëheqjen e VV-së”, shkroi ai.

“Kushdo që merr vesh në ekonomi, e di se vendi që eksporton lëndë të parë dhe importon produktin e gatshëm të prodhuar plotësisht nga ajo lëndë e parë, siç është rasti konkret, tregon varfërinë e vet ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim. Sa të padijshëm e sa të mbrapshtë”, shtoi Hoti.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com