Korporata e Ruajtjes së Energjisë së Kosovës (ESCorp) po hyn në fazën e operacionalizimit, ndërsa emërimi i Bordit të Drejtorëve përbën një nga hapat e fundit në krijimin e strukturës së nevojshme për menaxhimin e investimeve të ardhshme në ruajtjen e energjisë.
MCA-Kosovo bëri të ditur se po mbështet krijimin dhe funksionalizimin e ESCorp në kuadër të MCC-Kosovo Compact, duke siguruar burimet e nevojshme për emërimin e Bordit dhe stafit fillestar, përcaktimin e niveleve të kompensimit, krijimin e zyrave dhe mbështetjen fillestare operative, përcjell Energy Monitor.

Sipas MCA-Kosovo, mbështetja përfshin edhe mbulimin e shpenzimeve operative dhe prokurimin e asistencës teknike, me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve institucionale të ESCorp.
Një tjetër përgjegjësi e rëndësishme e MCA-Kosovo është komisionimi dhe mbikëqyrja e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS).
Qeveria përcakton kompensimin e Bordit
Si pjesë e procesit të themelimit dhe operacionalizimit të ndërmarrjes, Qeveria e Kosovës ka përcaktuar kompensimin mujor të Bordit të Drejtorëve të ESCorp.
MCA-Kosovo thekson se kompensimi është përcaktuar në përputhje me nivelet e kompensimit, afatin kohor dhe planin e zbatimit të përcaktuar nga MCA-Kosovo dhe Millennium Challenge Corporation (MCC) në kuadër të MCC-Kosovo Compact.
Emërimi i Bordit vjen pas një serie hapash të ndërmarrë gjatë muajve të fundit për krijimin e ESCorp.
Nga themelimi te operacionalizimi
ESCORP u themelua si ndërmarrje publike përmes Vendimit të Qeverisë 03/193, në kuadër të MCC-Kosovo Compact. Ndërmarrja është krijuar me synimin për të menaxhuar kapacitetet e ruajtjes së energjisë dhe për të kontribuar në një sistem më fleksibil, të sigurt dhe të qëndrueshëm energjetik.
Në korrik, ESCorp plotësoi Bordin e Drejtorëve me emërimin e dy anëtareve të reja, duke përfunduar kështu përbërjen e organit drejtues të ndërmarrjes, ka njoftuar Energy Monitor.
Vetëm një ditë më parë, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kishte kritikuar Qeverinë në detyrë për krijimin e ndërmarrjes dhe Bordit para se kapacitetet e ruajtjes të jenë në dispozicion.
Postimi i fundit i MCA-Kosovo tregon se fokusi tani është zhvendosur te krijimi i kapaciteteve institucionale dhe operative që ESCorp të jetë në gjendje të përmbushë rolin e saj në menaxhimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë.
ESCorp do të menaxhojë 125 MW / 250 MWh
Sipas MCA-Kosovo, ESCorp do të menaxhojë 125 MW / 250 MWh kapacitet të ruajtjes së energjisë me bateri.
Ky kapacitet është pjesë e projektit më të gjerë të ruajtjes së energjisë të MCC-Kosovo Compact. Nga kapaciteti i përgjithshëm i planifikuar prej 170 MW / 340 MWh, një sistem prej 45 MW / 90 MWh do të jetë në pronësi dhe operim të KOSTT-it, ndërsa pjesa prej 125 MW / 250 MWh do të realizohet përmes ESCorp.
Sistemet e baterive pritet të luajnë rol në rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës, përfshirë balancimin e rrjetit, menaxhimin e luhatjeve të prodhimit dhe konsumit dhe integrimin e mëtejshëm të burimeve të energjisë së ripërtëritshme.
Me krijimin e Bordit, stafit fillestar dhe strukturës operative, ESCorp po kalon kështu nga faza e themelimit institucional drejt përgatitjes për menaxhimin e investimeve të planifikuara në ruajtjen e energjisë.



