GIZ Kosova po mbështet Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në rishikimin e kuadrit teknik të planifikimit hapësinor në Kosovë, me fokus në përdorimin më të mirë të të dhënave hapësinore, teknologjisë GIS dhe integrimin e qëndrueshmërisë klimatike në planifikim.
Procesi përfshin rishikimin e Udhëzimit Administrativ për Normat Teknike të Planifikimit Hapësinor dhe mbledhjen e propozimeve nga institucionet publike, komunat dhe profesionistët e fushës. Sipas GIZ, qëllimi është që ndryshimet e ardhshme në kuadrin e planifikimit të bazohen më shumë në përvojën praktike dhe në nevojat e institucioneve që e zbatojnë atë.
Një nga fushat e fokusit është përmirësimi i përdorimit të GIS-it dhe standardeve për të dhënat hapësinore. Kjo synon të ndihmojë institucionet në marrjen e vendimeve më të bazuara në të dhëna dhe në koordinimin më të mirë të zhvillimit territorial, përcjell Energy Monitor.
Në proces po trajtohet gjithashtu integrimi i rrezikut klimatik dhe i masave për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në planifikimin hapësinor. Kjo lidhet me nevojën që zhvillimi urban dhe infrastruktura e re të marrin më shumë parasysh rreziqe si përmbytjet, valët e të nxehtit dhe ndikimet e tjera të ndryshimeve klimatike.
Rishikimi vjen pas një procesi më të gjerë të nisur këtë vit për vlerësimin e kornizës ligjore të planifikimit hapësinor në Kosovë. Në shkurt, GIZ dhe MMPHI nisën një vlerësim të kornizës ekzistuese, me përfshirjen e institucioneve qendrore, komunave, akademisë, sektorit privat dhe shoqërisë civile. Procesi synon të kontribuojë edhe në hartimin e një Ligji të ri për Planifikimin Hapësinor, raporton Energy Monitor.
Planifikimi hapësinor ka rëndësi edhe për zhvillimin e infrastrukturës energjetike, pasi përcakton mënyrën se si përdoret toka dhe si planifikohen ndërhyrjet e reja infrastrukturore. Në vlerësimin e mëparshëm të mbështetur nga GIZ janë trajtuar edhe çështje ndërsektoriale si zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme, mbrojtja e tokës bujqësore dhe trashëgimia kulturore.
GIZ po mbështet ndërkohë edhe iniciativa të tjera në Kosovë që lidhin planifikimin urban me përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Në Prizren, Gjakovë dhe Gjilan janë duke u zhvilluar plane për hapësirat publike dhe vlerësime të rrezikut nga fatkeqësitë, me synim krijimin e investimeve urbane më të gjelbra dhe më rezistente ndaj klimës.
Rishikimi i normave teknike pritet të ndihmojë në krijimin e një kuadri më të përshtatshëm për planifikimin e zhvillimit të territorit dhe për integrimin e praktikave evropiane në planifikimin hapësinor të Kosovës.



