Qendra për Aftësi dhe Inovacion në Energji (CESI) po kalon drejt fazës së operacionalizimit, si pjesë e projektit JETA të Kompaktit MCC-Kosovë, me synimin për të lidhur arsimin me industrinë dhe për të përgatitur fuqinë punëtore për nevojat e ardhshme të sektorit energjetik.
MCA-Kosovo ka bërë të ditur se CESI do të funksionojë në partneritet me Universitetin e Prishtinës dhe do të ofrojë programe trajnimi të përshtatura me nevojat e tregut të punës në energji dhe sektorët e ndërlidhur. Qendra synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për zhvillimin e aftësive profesionale, trajnimin dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve arsimore dhe kompanive, përcjell Energy Monitor.
Sipas MCA-Kosovo, CESI do të fokusohet në zhvillimin e fuqisë punëtore për një sektor energjetik që po ndryshon me zgjerimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, modernizimin e rrjetit dhe zhvillimin e teknologjive të reja. Programet pritet të përfshijnë trajnime profesionale dhe teknike, ngritje dhe rikualifikim të aftësive, si dhe forma të tjera të lidhjes së arsimit me punësimin.
Një hap i rëndësishëm drejt funksionalizimit të qendrës ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së Zbatimit ndërmjet MCA-Kosovo dhe Universitetit të Prishtinës. Marrëveshja përcakton bashkëpunimin për zhvillimin e kapaciteteve dhe krijimin e kushteve për funksionimin e CESI-t.
Ndërkohë, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka miratuar edhe Rregulloren e Brendshme që përcakton kornizën e qeverisjes dhe funksionimit të CESI-t. Sipas MCA-Kosovo, kjo hap rrugën që qendra të zhvillohet si një qendër ekselence për trajnime profesionale, bashkëpunim me industrinë dhe zhvillim të aftësive të përshtatura me nevojat e tregut të punës.
CESI është pjesë e aktivitetit “Energy Skills for the Future” të projektit JETA. Projekti synon të mbështesë zhvillimin e aftësive, ngritjen dhe rikualifikimin e fuqisë punëtore në sektorin e energjisë dhe fushat e lidhura me të, duke përshtatur sistemin e arsimit dhe trajnimit me kërkesat e tregut të punës.
Krijimi i qendrës vjen në kuadër të Kompaktit MCC-Kosovë, të financuar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara përmes Millennium Challenge Corporation dhe me kontribut të Qeverisë së Kosovës. Kompakti përfshin tri projekte kryesore: ruajtjen e energjisë, projektin JETA dhe American Catalyst Facility for Development.
Sipas Millennium Challenge Corporation, në vitin fiskal 2025 MCA-Kosovo kishte përfunduar edhe dhënien e kontratës për aktivitetin Energy Skills for the Future, i cili përfshin krijimin e CESI-t dhe zhvillimin e programeve teknike të trajnimit të nevojshme për sektorin energjetik në Kosovë dhe më gjerë.
Ndërsa qendra hyn në fazën e operacionalizimit, fokusi pritet të zhvendoset te krijimi i programeve konkrete të trajnimit, infrastrukturës dhe bashkëpunimit me industrinë, me qëllim që CESI të shërbejë si një urë mes arsimit dhe kërkesës reale për profesionistë në sektorin energjetik.



