Në Prishtinë ka nisur një mision treditor i ekspertëve të TAIEX-it, instrumentit të Komisionit Evropian për Ndihmë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni, i fokusuar në përdorimin e Sistemeve të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe menaxhimin e të dhënave të biodiversitetit.
Misioni, që zhvillohet nga 28 deri më 30 shtator, organizohet nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përkatësisht Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Gjatë tri ditëve të punës, ekspertë nga Republika Çeke dhe Sllovakia po ndajnë përvojat e tyre me zyrtarët e institucioneve të Kosovës në fushën e hartëzimit të habitateve, monitorimit të zonave të mbrojtura dhe përgatitjeve për rrjetin Natura 2000, përcjell Energy Monitor.
Një pjesë e sesioneve i kushtohet edhe harmonizimit të të dhënave hapësinore kombëtare me standardet e Bashkimit Evropian, me synimin që të përmirësohet menaxhimi dhe shkëmbimi i informacionit për biodiversitetin.
Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, përdorimi i teknologjisë GIS dhe i të dhënave gjeohapësinore është një element kyç për planifikimin, monitorimin dhe mbrojtjen afatgjatë të ekosistemeve në Kosovë.
Trajnimi zhvillohet në kuadër të mbështetjes që TAIEX ofron për afrimin e institucioneve të vendeve kandidate me praktikat dhe standardet e Bashkimit Evropian në fushën e mjedisit dhe mbrojtjes së natyrës.



