Home / Lajme / Rajoni / Rregullatori pezullon licencimin e TEC-eve lundruese në Vlorë, kërkon sqarimin e lejeve mjedisore

Rregullatori pezullon licencimin e TEC-eve lundruese në Vlorë, kërkon sqarimin e lejeve mjedisore

Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka pezulluar procedurën për licencimin e KESH për prodhimin e energjisë elektrike nga dy termocentralet lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3” në Vlorë, deri në sqarimin e vlefshmërisë së lejeve mjedisore për operimin e tyre.

Vendimi lidhet me kërkesën e KESH të 6 korrikut 2026 për rinovimin e licencimit të dy njësive, me kapacitet të instaluar prej 50 MW për “Tigri 1” dhe 60 MW për “Tigri 3”. Të dy termocentralet janë të vendosura në Portin e Triportit, në Gjirin e Vlorës.

Sipas ERE, pezullimi do të vijojë deri në sqarimin nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit nëse dokumentacioni mjedisor ekzistues është i vlefshëm për operimin e dy termocentraleve, përcjell Energy Monitor.

KESH ishte licencuar për herë të parë për prodhimin e energjisë nga këto dy njësi në vitin 2023, me një licencë me afat dyvjeçar. Termocentralet nisën prodhimin në vitin 2024, por përdorimi i tyre ka qenë shumë më i kufizuar sesa ishte parashikuar kur u sollën në Shqipëri.

Dy platformat lundruese mbërritën në Vlorë në shtator 2022, kur ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte Belinda Balluku. Projekti u prezantua në atë kohë si një kapacitet shtesë për sigurinë e furnizimit me energji elektrike, në një periudhë kur Shqipëria përballej me çmime të larta të energjisë dhe pasiguri në furnizim, raporton Energy Monitor.

Fillimisht ishte deklaruar se termocentralet, me kapacitet të kombinuar prej 110 MW, do të mund të mbulonin rreth 15% të nevojave të konsumit vendas. Megjithatë, të dhënat e ERE-së për vitin 2025 tregojnë se “Tigri 1” dhe “Tigri 3” prodhuan rreth 77 mijë MWh, ose vetëm rreth 1% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Përdorimi i kufizuar i tyre është shoqëruar me kosto të konsiderueshme. Sipas të dhënave të publikuara më herët, deri në fund të vitit 2025 KESH kishte paguar rreth 62.8 milionë euro për sjelljen dhe vënien në funksion të dy gjeneratorëve, ndërsa kostoja e prodhimit të energjisë nga to ishte rreth 151 euro/MWh.

Pavarësisht prodhimit të ulët, KESH ka vazhduar të planifikojë shpenzime për operimin e aseteve. Në korrik, kompania përgatiti një tender me vlerë rreth 20 milionë euro për operimin dhe mirëmbajtjen e termocentraleve lundruese në Vlorë.

Çështja e dy termocentraleve është kundërshtuar gjithashtu nga organizata dhe aktivistë mjedisorë, të cilët kanë ngritur shqetësime për ndikimin e përdorimit të karburantit dhe kostot e projektit. Në gusht, aktivistë protestuan para KESH-it duke kërkuar largimin e “Tigri 1” dhe “Tigri 3” nga Gjiri i Vlorës, ka raportuar Energy Monitor.

Pezullimi i vendosur nga ERE nuk përbën një vendim përfundimtar për mbylljen ose largimin e termocentraleve nga Vlora. Procedura e licencimit mund të vijojë pasi të sqarohet statusi i dokumentacionit mjedisor dhe të plotësohen kërkesat për operimin e tyre.

Me një kapacitet të kombinuar prej 110 MW, dy termocentralet përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të kapaciteteve të KESH, e cila mbështetet kryesisht në hidrocentralet e Kaskadës së Drinit. Për këtë arsye, përdorimi i tyre ka mbetur kryesisht i lidhur me sigurimin e një kapaciteti termik shtesë në periudhat kur prodhimi hidroenergjetik është më i ulët.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com