Home / Lajme / Kosova / Mars 2026: Prodhimi nga BRE-të shënon rënie, konsumi i rrymës rritet për 4.42%

Mars 2026: Prodhimi nga BRE-të shënon rënie, konsumi i rrymës rritet për 4.42%

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Statistikat e Energjisë për muajin mars 2026 me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.

Në muajin mars 2026, sektori energjetik i Kosovës shënoi rritje si në prodhimin e thëngjillit ashtu edhe në konsumin e energjisë elektrike. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prodhimi i thëngjillit arriti në 1.04 milion ton, që paraqet një rritje prej 51.38% krahasuar me marsin e vitit 2025.

Energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 700.11 GWh, ose 4.30% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa konsumi i energjisë elektrike u rrit në 526.73 GWh, me një rritje prej 4.42%, përcjell Energy Monitor.

Në të njejtën kohë, prodhimi nga burimet e ripërtëritshme të energjisë ka shënuar rënie, krahasuar me periudhën e njejtë raportuese të vitit paraprak. Më saktësisht, hidrocentralet kanë prodhuar rreth 33% më pak rrymë, ndërsa parqet e erës dhe burimet solare rreth 39% më pak rrymë.

Burimet alternative të energjisë përbënin 7.85% të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike.

Gjatë marsit 2026, Kosova importoi 354.69 GWh energji elektrike dhe eksportoi 225.55 GWh, duke përfshirë edhe sasinë e energjisë në transit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com