Home / Lajme / Rajoni / Shqipëria planifikon mbi 1.5 GW energji diellore dhe eolike deri në vitin 2030

Shqipëria planifikon mbi 1.5 GW energji diellore dhe eolike deri në vitin 2030

Shqipëria synon të arrijë mbi 1.5 GW kapacitet të energjisë diellore dhe të erës deri në vitin 2030, sipas skenarit të përcaktuar në Planin e ri Kombëtar për Energjinë dhe Klimën (PKEK). Plani parashikon rreth 1,005 MW kapacitete të reja fotovoltaike dhe 520 MW energji nga era, me synim diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike.

Pika e nisjes është e ndryshme për të dyja teknologjitë. Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, deri në prill 2026 në Shqipëri ishin në prodhim rreth 638 MW kapacitete fotovoltaike. Ndërkohë, aktualisht nuk ka parqe eolike në operim, ndërsa skenari i PKEK kërkon ndërtimin e 520 MW kapacitete të reja të erës deri në vitin 2030.

Zgjerimi i burimeve të ripërtëritshme nuk kufizohet vetëm te energjia diellore dhe eolike. PKEK parashikon edhe zhvillimin e kapaciteteve të reja hidroenergjetike, ndërsa rritja e burimeve të ndryshueshme kërkon paralelisht investime në rrjet, fleksibilitet dhe ruajtjen e energjisë, përcjell Energy Monitor.

Sistemi energjetik shqiptar vazhdon të mbështetet kryesisht te hidrocentralet, duke e bërë prodhimin të ndjeshëm ndaj kushteve hidrologjike. Në këtë kuadër, zhvillimi i energjisë diellore dhe të erës shihet si një nga mënyrat kryesore për diversifikimin e burimeve të prodhimit.

Sipas PKEK, Shqipëria synon që deri në vitin 2030 54% e konsumit final të energjisë të mbulohet nga burimet e ripërtëritshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com