Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se SHBA-ja është bërë prodhuesja më e madhe e naftës në botë, pa përfshirë rezervat e mëdha të Venezuelës, të cilat SHBA-ja i ka shtuar së fundmi në rezervat e saj.
Duke folur në një tubim në Dallas të Teksasit, Trump përshëndeti një marrëveshje energjetike që përfshin rezervat e provuara të naftës të Venezuelës, të vlerësuara në 65 miliardë fuçi, duke e cilësuar atë potencialisht si “marrëveshjen më të madhe në historinë e vendit”.
“Tani jemi më të mëdhenjtë në botë dhe kjo pa Venezuelën, të cilën sapo e kemi shtuar në rezervat tona”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë njoftoi detajet e marrëveshjes energjetike, sipas së cilës “North American Blue Energy Partners” (NABEP) do t’i jepte Zyrës së Kapitalit Strategjik të Pentagonit 35% qind të aksioneve në kompaninë e saj mëmë, pa asnjë kosto për taksapaguesit amerikanë.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së do të kishte gjithashtu të drejtën të blinte 20% të prodhimit me çmimin e kostos.
Shtëpia e Bardhë tha se NABEP ka siguruar koncesione 100-vjeçare që mbulojnë 17 fusha nafte ndërsa presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodriguez, më herët e kishte përshkruar marrëveshjen si një marrëveshje 25-vjeçare.



