Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Trajnimet për komunitetet e energjisë së ripërtëritshme vazhdojnë në Mitrovicë

Trajnimet për komunitetet e energjisë së ripërtëritshme vazhdojnë në Mitrovicë

Trajnimet për zhvillimin e komuniteteve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme kanë vazhduar në Mitrovicë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve komunalë, bizneseve të vogla dhe të mesme dhe organizatave të shoqërisë civile.

Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF), me mbështetjen e Heinrich Böll Stiftung, ka mbajtur më 21 dhe 22 shtator një sesion dyditor të trajnimit, ku kanë marrë pjesë përfaqësues nga Mitrovica, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Skënderaj, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, përcjell Energy Monitor.

Pjesëmarrësit janë informuar mbi kuadrin ligjor dhe teknik për bashkësitë e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, përfshirë mënyrën e organizimit dhe anëtarësimit, regjistrimin dhe lidhjen me rrjetin, matësit inteligjentë, ndarjen e energjisë dhe faturimin.

Trajnimi në Mitrovicë është zhvilluar në kuadër të një serie sesionesh që CDF po organizon nëpër rajone të ndryshme të Kosovës. Sesioni i parë ishte mbajtur më 8 dhe 9 shtator, me pjesëmarrës nga Prishtina, Podujeva, Fushë Kosova, Obiliqi, Lipjani, Graçanica dhe Drenasi.

Trajnimet zhvillohen në një kohë kur Kosova ka avancuar edhe në krijimin e kuadrit rregullativ për bashkësitë e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.

ZRRE ka miratuar Rregullën për Bashkësitë e Energjisë nga Burimet e Ripërtërishme, e cila përcakton mënyrën e themelimit, organizimit dhe funksionimit të tyre, njofton Energy Monitor.

Sipas CDF-së, trajnimet do të vazhdojnë gjatë shtatorit dhe tetorit në Gjilan, Prizren, Pejë dhe Gjakovë, duke përfshirë përfaqësues të komunave dhe aktorë të tjerë lokalë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com