Home / Lajme / Kosova / Nisin trajnimet për komunitetet e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë

Nisin trajnimet për komunitetet e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë

Në Kosovë kanë nisur trajnimet për zhvillimin e komuniteteve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, me pjesëmarrjen e zyrtarëve komunalë, bizneseve të vogla dhe të mesme dhe organizatave të shoqërisë civile.

Trajnimet organizohen nga Community Development Fund (CDF) me mbështetjen e Heinrich Böll Stiftung. Sesioni i parë po zhvillohet më 8 dhe 9 shtator, me pjesëmarrës nga Prishtina, Podujeva, Fushë Kosova, Obiliqi, Lipjani, Graçanica dhe Drenasi.

Pjesëmarrësit do të marrin njohuri praktike mbi kuadrin ligjor dhe teknik për komunitetet e energjisë, mënyrën e organizimit dhe anëtarësimit, regjistrimin dhe lidhjen me rrjetin, matësit inteligjentë, ndarjen e energjisë dhe faturimin.

Trajnimet do të vazhdojnë gjatë shtatorit dhe tetorit edhe në Mitrovicë, Gjilan, Prizren, Pejë dhe Gjakovë, duke përfshirë përfaqësues të komunave nga pjesë të ndryshme të Kosovës, njofton Energy Monitor.

Komunitetet e energjisë nga burimet e ripërtëritshme mund t’u mundësojnë qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve lokale të bashkëpunojnë për prodhimin dhe përdorimin e energjisë së pastër. Modeli mund të përfshijë projekte të përbashkëta të energjisë diellore, prodhimin për vetëkonsum dhe ndarjen e energjisë mes anëtarëve të komunitetit.

Kosova ka krijuar bazën ligjore për këto komunitete përmes Ligjit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë të miratuar në vitin 2024. Megjithatë, krijimi i kuadrit dytësor dhe zbatimi praktik mbeten hapa të rëndësishëm për funksionalizimin e tyre.

Në vitin 2025, ZRRE dhe CDF nënshkruan memorandum bashkëpunimi për zhvillimin e kuadrit rregullativ për komunitetet e energjisë. CDF ka mbështetur gjithashtu procesin e hartimit të rregullës për komunitetet e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, e cila është dërguar për konsultim publik nga ZRRE.

Zhvillimi i këtyre komuniteteve shihet si një nga mënyrat për ta bërë tranzicionin energjetik më të decentralizuar, duke u dhënë komuniteteve lokale dhe konsumatorëve një rol më të madh në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së ripërtëritshme.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com