Shqipëria ka ende rreth 100 milionë tonë rezerva të përdorshme qymyri, kryesisht linjit, pavarësisht se shumica e minierave të vendit u mbyllën gjatë transformimit ekonomik të viteve 1990. Të dhënat dalin nga një analizë e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit për tranzicionin energjetik në Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar Ekofin.
Sipas raportit, rreth 86% e rezervave ndodhen në zonën e Tiranës, rreth 10% në zonën Korçë – Pogradec dhe 4.4% në Memaliaj, prcjell Energy Monitor.
Shumica e minierave shqiptare u mbyllën gjatë viteve 1990, duke sjellë rënie të fortë të prodhimit, investimeve dhe të ardhurave nga aktiviteti minerar.
Megjithatë, rezervat e qymyrit kanë mbetur. Sipas projekteve të mbylljes së minierave të cituara në raport, vendi disponon ende rreth 100 milionë tonë rezerva të përdorshme.
Ndryshe nga Kosova, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ku qymyri vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në prodhimin e energjisë elektrike, Shqipëria mbështetet kryesisht te hidrocentralet.
Në vitin 2023, rreth 91% e kapacitetit të instaluar energjetik në Shqipëri ishte hidroenergji, ndërsa energjia diellore përbënte pjesën tjetër kryesore të kapaciteteve të reja, përcjell Energy Monitor.
Raporti i Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit e paraqet Shqipërinë si një rast të veçantë në Ballkanin Perëndimor, pasi vendi ka rezerva të konsiderueshme qymyri, por nuk e përdor atë në të njëjtën masë si vendet e tjera të rajonit.



