Home / Lajme / Mjedisi / Mbi 83% e mbetjeve në Ballkanin Perëndimor përfundojnë në deponi, Kosova riciklon vetëm 2–3%

Mbi 83% e mbetjeve në Ballkanin Perëndimor përfundojnë në deponi, Kosova riciklon vetëm 2–3%

Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet shumë prapa Bashkimit Evropian në menaxhimin e mbetjeve, edhe pse gjatë viteve të fundit janë bërë investime në deponi sanitare, impiante riciklimi dhe projekte të ekonomisë qarkulluese.

Sipas raportit më të fundit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) për zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, më shumë se 83% e mbetjeve komunale në gjashtë ekonomitë e rajonit përfundojnë ende në deponi, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është rreth 23%.

Në disa vende të rajonit, veçanërisht në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi, normat e riciklimit mbeten vetëm 2–3%, ndërsa Serbia, megjithëse ka një sistem më të zhvilluar, arrin një normë riciklimi prej vetëm 15.5%.

Raporti vlerëson se gjatë vitit 2025 janë bërë investime të rëndësishme në infrastrukturën e mbetjeve, por ndërtimi i impianteve nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm reformash në financim, administrim, ndarjen e mbetjeve në burim dhe riciklim.

Në shumicën e vendeve, tarifat e shërbimit nuk mbulojnë plotësisht kostot e grumbullimit dhe trajtimit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e mbetjeve vazhdon të përfundojë në deponi josanitare ose deponi ilegale.

Kosova shton numrin e deponive ilegale

Për Kosovën, raporti evidenton një kontrast mes përmirësimit të kuadrit strategjik dhe përkeqësimit të situatës në terren.

Megjithëse u miratua Strategjia e Integruar e Menaxhimit të Mbetjeve 2024–2035, numri i deponive ilegale të identifikuara u rrit me 13.6%, nga 403 në vitin 2023 në 458 gjatë vitit 2024.

Raporti vlerëson se një nga pengesat kryesore mbetet mungesa e investimeve në deponi sanitare dhe impiante për trajtimin e mbetjeve. Sipas strategjisë së Kosovës, nevojiten rreth 500 milionë euro investime gjatë dekadës së ardhshme për të ulur varësinë nga deponitë dhe për të rritur normën e riciklimit.

Shqipëria përpiqet të centralizojë sistemin

Për Shqipërinë, raporti thekson se sektori i mbetjeve vazhdoi të përballej gjatë vitit 2025 me probleme strukturore dhe vështirësi në zbatim. Qeveria njoftoi reformën për centralizimin e grumbullimit dhe menaxhimit të mbetjeve nën Agjencinë e Ekonomisë së Mbetjeve, por kapacitetet institucionale mbeten të kufizuara.

Dy ligje kyçe, ai për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe ai për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, ishin ende në proces miratimi.

Raporti kërkon masa më të forta kundër hedhjes së pakontrolluar të mbetjeve dhe zbatim më efektiv të legjislacionit mjedisor.

Megjithatë, gjatë vitit u shënuan edhe disa zhvillime pozitive. Në 15 bashki u futën kompostimi dhe impiantet për rikuperimin e materialeve, ndërsa në Berat u zbatua një projekt pilot për ndarjen e mbetjeve në burim.

Serbia zgjeron modelin “mbetje në energji”

Serbia po investon edhe në prodhimin e energjisë nga mbetjet. Impianti i Vinçës në Beograd arriti funksionimin e plotë në vitin 2025 dhe ka kapacitet të përpunojë rreth 340 mijë tonë mbetje në vit, duke prodhuar energji elektrike dhe ngrohje.

Megjithatë, raporti sjell edhe kritikat e organizatave mjedisore, të cilat argumentojnë se investimet në djegien e mbetjeve mund të zvogëlojnë fondet për riciklimin dhe parandalimin e mbetjeve.

Problemet nuk munguan as gjatë vitit 2025, kur mbyllja e qendrës së menaxhimit të mbetjeve në Duboko detyroi devijimin e mbetjeve drejt deponive josanitare dhe u shoqërua me disa zjarre të mëdha.

Mali i Zi shfrytëzon gazin e deponisë

Në fund të vitit 2025, Mali i Zi nisi operimin provë të impiantit të biogazit në deponinë rajonale të Možurës.

Impianti me fuqi 1.5 MW, i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor sipas raportit, përdor gazin e krijuar nga mbetjet për të prodhuar energji elektrike, e cila mjafton për konsumin e rreth 400 familjeve.

Vendi miratoi gjithashtu Planin e Menaxhimit të Mbetjeve 2025–2029 dhe vendosi kufizime për disa produkte plastike njëpërdorimshme. Sipas raportit, disa shitës raportuan rënie me rreth 50% të përdorimit të qeseve plastike pas hyrjes në fuqi të masave.

Maqedonia e Veriut zgjeron investimet

Maqedonia e Veriut po zhvillon një prej programeve më të mëdha rajonale për modernizimin e sistemit të mbetjeve.

Në korrik 2025 u miratua një grant prej 2 milionë eurosh nga WBIF për fazën e dytë të projektit rajonal të menaxhimit të mbetjeve. Projekti mbështetet edhe nga një kredi prej 55 milionë eurosh nga BERZH dhe një grant prej 21.7 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian.

Synimi është krijimi i një sistemi modern që do t’u shërbejë mbi një milion banorëve në 45 komuna.

Megjithatë, raporti vëren se zbatimi i strategjisë së ekonomisë qarkulluese ka ngecur dhe mbikëqyrja e organizatave që menaxhojnë përgjegjësinë e prodhuesve mbetet e dobët.

Bosnjë-Hercegovina hap qendër të re rajonale

Në Bosnjë-Hercegovinë, një nga zhvillimet kryesore ishte hapja në prill 2025 e qendrës së re rajonale të menaxhimit të mbetjeve në Živinice.

Deponia sanitare dhe impianti i riciklimit janë ndërtuar sipas standardeve të BE-së dhe u shërbejnë rreth 95 mijë banorëve.

Financimi përfshiu një kredi prej 5 milionë eurosh nga BERZH dhe grante nga Suedia dhe Bashkimi Evropian.

Raporti thekson se suksesi afatgjatë do të varet nga rritja e ndarjes së mbetjeve në burim, tarifat që mbulojnë kostot dhe forcimi i institucioneve.

/monitor.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com