Home / Lajme / Ndërkombëtare / Gjermania hap ankand për 2.5 GW energji të erës në sipërfaqe tokësore

Gjermania hap ankand për 2.5 GW energji të erës në sipërfaqe tokësore

Gjermania ka hapur ankandin e radhës për energjinë e erës në tokë, me një kapacitet prej rreth 2.5 GW, ndërsa projektet kanë afat deri në fillim të nëntorit për të dorëzuar ofertat.

Sipas Agjencisë Federale të Rrjetit të Gjermanisë (Bundesnetzagentur), ankandi ka një vëllim prej 2,495 MW dhe çmimi maksimal i lejuar është 7.25 centë për kWh. Afati për dorëzimin e ofertave është 2 nëntor 2026, pasi data fillestare 1 nëntor bie të dielën.

Ky është ankandi i katërt për energjinë e erës në tokë që Gjermania zhvillon gjatë vitit 2026. Në total, për këtë vit janë planifikuar rreth 10 GW kapacitete përmes katër ankandeve, përcjell Energy Monitor.

Projektet që marrin pjesë në ankand duhet të kenë marrë autorizimin përkatës sipas ligjit gjerman për kontrollin e emetimeve (BImSchG) deri më 5 tetor dhe ta kenë regjistruar atë në regjistrin kombëtar të tregut të energjisë.

Çmimet ranë në ankandin e kaluar

Ankandi i ri vjen pak javë pasi Gjermania përfundoi raundin e gushtit, i cili ishte i mbingarkuar me oferta.

Në atë procedurë u paraqitën 461 oferta me kapacitet total prej 5.25 GW, ndërsa u përzgjodhën 237 projekte me një kapacitet të kombinuar prej rreth 2.52 GW.

Çmimet e ofertave fituese varionin nga 4.49 deri në 4.98 centë për kWh, ndërsa çmimi mesatar i ponderuar ishte 4.79 centë për kWh, nga 5.06 centë në ankandin paraprak, njofton Energy Monitor.

Rajoni me kapacitetin më të madh të përzgjedhur në ankandin e gushtit ishte Saksonia e Ulët me 836 MW, e ndjekur nga Nordrhein-Westfalen me 430 MW dhe Rheinland-Pfalz me 336 MW.

Rezultatet e ankandit të ri të nëntorit pritet të publikohen më vonë gjatë vitit. Bundesnetzagentur ka njoftuar se synon të publikojë rezultatet e ankandeve të vitit 2026 deri në fund të vitit.

Me raundin e ri, Gjermania vazhdon programin e saj të ankandeve për zgjerimin e kapaciteteve të energjisë së erës në tokë, ndërsa konkurrenca e lartë në raundet e fundit ka sjellë ulje të çmimeve të ofertave fituese.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com