Home / Lajme / Mjedisi / Në Kosovë nis heqja e parë e një dige për rikthimin e rrjedhës së lirë të lumit

Në Kosovë nis heqja e parë e një dige për rikthimin e rrjedhës së lirë të lumit

Në lumin Mirusha pritet të hiqet diga e vjetër që ka ndërprerë rrjedhën natyrore të lumit, në një projekt që Open Rivers Programme e përshkruan si heqjen e parë të një dige në Kosovë për rikthimin e një lumi në rrjedhë të lirë.

Projekti po zbatohet nga organizata mjedisore ECOPANA, me mbështetjen e Open Rivers Programme. Programi njoftoi në gusht se kishte miratuar financimin për fazën e heqjes së digës, pas një projekti të mëparshëm për përgatitjen e saj për demolim.

Sipas Open Rivers Programme, heqja e digës së Mirushës do të rikthejë lidhjen e rreth 35 kilometrave të lumit, duke mundësuar përsëri rrjedhjen natyrore të ujit dhe transportin e sedimenteve, si dhe lëvizjen e faunës ujore, përcjell Energy Monitor.

Diga e Mirushës ndodhet në rrjedhën e lumit Mirusha, në territorin e Malishevës. Sipas dokumentacionit të Open Rivers Programme, ajo është ndërtuar rreth viteve 2011–2013 dhe është rreth 8 deri në 10 metra e lartë. Rezervuari i krijuar pas saj mbulon rreth tetë hektarë.

Problemet që lidhen me digën janë evidentuar prej vitesh. Një vlerësim i mëhershëm mjedisor i Kosovës e kishte identifikuar digën si burim shqetësimi për rrjedhën e lumit dhe rrezikun e vërshimeve, ndërsa studimet e mëvonshme kanë analizuar ndikimin e saj në transportin e sedimenteve, habitatet ujore dhe lidhjen ekologjike të lumit.

Një zonë me rëndësi të veçantë për biodiversitetin

Mirusha ka rëndësi të veçantë ekologjike dhe lidhet me zonën e mbrojtur të Ujëvarave të Mirushës. Sipas Open Rivers Programme, vlerësimet ekologjike kanë evidentuar 157 lloje shtazësh, përfshirë 83 lloje ujore. Në këtë zonë është identifikuar edhe një lloj merimange i ri për shkencën, Eratigena mirusha, i cili është emërtuar sipas lumit.

ECOPANA ka punuar prej vitesh në përgatitjen e projektit. Faza paraprake për heqjen e digës përfshiu studime, punë me institucionet dhe përgatitjen e dokumentacionit teknik. Sipas Open Rivers Programme, projekti paraprak përfundoi në janar 2024, ndërsa në korrik 2026 ekipi mori grantin për fazën e demolimit, raporton Energy Monitor.

Heqja e Mirushës shihet gjithashtu si një projekt pilot për ndërhyrjet e ardhshme në lumenjtë e Kosovës. ECOPANA ka punuar paralelisht në identifikimin e barrierave përgjatë basinit të Drinit të Bardhë, ku një inventar i publikuar në vitin 2026 identifikoi 145 diga dhe barriera.

Pas heqjes së digës, projekti parashikon monitorimin e rikuperimit të lumit dhe të kushteve ekologjike. Përvoja e krijuar në Mirusha pritet të përdoret edhe për projekte të tjera të restaurimit të lumenjve dhe heqjes së barrierave në Kosovë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com