Home / Lajme / Efiçiencë / Kush investon në efiçiencë dhe kush përfiton kur banesa është me qira?

Kush investon në efiçiencë dhe kush përfiton kur banesa është me qira?

Kush investon në efiçiencën e energjisë kur banesa është me qira dhe kush e merr realisht përfitimin nga investimi?

Kjo është një nga çështjet që trajton Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në qarkoren “Qiramarrësit në tranzicionin energjetik – Kush investon dhe kush përfiton?”, duke u fokusuar te familjet që jetojnë me qira dhe roli i tyre në tranzicionin energjetik.

Sipas INDEP, qiramarrësi zakonisht e paguan faturën e energjisë, por nuk vendos për investime si izolimi i objektit, ndërrimi i dritareve apo përmirësimi i sistemit të ngrohjes. Pronari, ndërkohë, mund të mos ketë të njëjtën nxitje për të investuar, pasi përfitimi nga ulja e faturës i shkon kryesisht qiramarrësit, përcjell Energy Monitor.

Problemi bëhet më kompleks kur investimi mbështetet me fonde publike. INDEP ngre pyetjen se si duhet të sigurohet që përfitimi nga financimi publik të mos përfundojë vetëm në rritjen e vlerës së pronës ose të qirasë.

INDEP kërkon kushte për mbrojtjen e qiramarrësve

INDEP propozon që skemat mbështetëse për efiçiencën e energjisë të marrin parasysh marrëdhënien ndërmjet pronarit dhe qiramarrësit, përfshirë dokumentimin e qirasë dhe lidhjen e banesës me njehsorin e energjisë.

Një nga rekomandimet është që grantet për banesat me qira të shoqërohen me detyrime të qarta ndaj qiramarrësit. Sipas INDEP, marrëveshjet për financimin e renovimeve duhet të marrin parasysh edhe përballueshmërinë e banimit pas përfundimit të punimeve.

Kjo lidhet me mundësinë që kursimi nga faturat e energjisë të kompensohet pjesërisht ose plotësisht nga një rritje e qirasë pas renovimit. Për këtë arsye, INDEP propozon që efekti social i investimeve të mos matet vetëm përmes energjisë së kursyer.

Sipas qasjes së propozuar në qarkore, një tregues më i plotë do të ishte kostoja e përbashkët e qirasë dhe energjisë, së bashku me kushtet e banimit dhe mundësinë që familja të vazhdojë të jetojë në banesë pas renovimit, përcjell Energy Monitor.

INDEP propozon gjithashtu një model pilot ku marrëveshja për renovimin e një banese me qira do të përfshinte institucionin financues, pronarin dhe qiramarrësin. Dokumenti trajton edhe mundësinë e vendosjes së një periudhe mbrojtëse për qiramarrësin pas renovimit, si pjesë e një skeme të tillë.

Çështja e qiramarrësve lidhet kështu me një pyetje më të gjerë të politikave të efiçiencës: nëse fondet publike përdoren për të ulur konsumin e energjisë në një banesë, si duhet të sigurohet që përfitimi ekonomik dhe social të arrijë edhe te familja që jeton në të.

Për INDEP, përfshirja e qiramarrësve në skemat e efiçiencës kërkon që politikat publike të marrin parasysh jo vetëm investimin dhe kursimin e energjisë, por edhe ndarjen e kostove dhe përfitimeve ndërmjet pronarit dhe qiramarrësit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com