Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka përmbyllur projektin “Promovimi dhe mbështetja e Agjendës së Gjelbër në Kosovë”, me një konferencë për media ku janë prezantuar rezultatet e punës dhe rekomandimet për politikat publike.
Projekti, i mbështetur nga Konrad-Adenauer-Stiftung Kosovo (KAS), ka përfshirë hulumtime, analiza të politikave, diskutime me institucionet dhe ekspertët, si dhe aktivitete edukative në shkolla.
Gjatë zbatimit të projektit janë publikuar tetë analiza të politikave publike që mbulojnë fusha të ndryshme të Agjendës së Gjelbër. INDEP ka organizuar gjithashtu shtatë tryeza diskutimi, me më shumë se 120 pjesëmarrës nga institucionet, shoqëria civile dhe sektorë të ndryshëm, përcjell Energy Monitor.
Një pjesë e projektit është përqendruar në edukimin e të rinjve. Sipas INDEP, janë zhvilluar 32 ligjërata në shkolla në nëntë komuna, ku janë përfshirë drejtpërdrejt 875 nxënës. Projekti ka përfshirë edhe dy podkaste tematike, ndërsa rreth 1,000 persona kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në aktivitetet e tij.
Hulumtimet kanë trajtuar disa prej fushave kryesore të Agjendës së Gjelbër, përfshirë dekarbonizimin, ekonominë qarkulluese, biodiversitetin, bujqësinë e qëndrueshme, parandalimin e ndotjes, energjinë e ripërtëritshme dhe arsimin për zhvillim të qëndrueshëm.
Në fushën e energjisë, INDEP ka publikuar gjatë këtij viti edhe analiza për krijimin e një kornize investuese për projektet e energjisë së ripërtëritshme dhe për politikat që mund të ulin rrezikun për investimet private në këtë sektor:
Në konferencën përmbyllëse, përfaqësuesit e INDEP përsëritën qëndrimin se zbatimi më i shpejtë i politikave në fusha si energjia, klima, biodiversiteti dhe ekonomia qarkulluese është i nevojshëm për të arritur objektivat e vendit dhe për të avancuar procesin e integrimit evropian.
INDEP theksoi se vonesat në zbatimin e masave klimatike dhe energjetike kanë edhe kosto ekonomike, duke kërkuar që politikat e miratuara të shoqërohen me investime dhe zbatim konkret.
Një nga analizat më të fundit të institutit, Indeksi i Tranzicionit të Energjisë 2026, vlerëson se Kosova ka ndërtuar një pjesë të kornizës për tranzicionin, por zbatimi i strategjive dhe projekteve mbetet pas objektivave të përcaktuara.
INDEP njoftoi se publikimet dhe rekomandimet e plota të projektit janë të disponueshme në uebfaqen e institutit.



