GIZ dhe Caritas Switzerland kanë nisur një projekt të ri për fuqizimin e të rinjve në fushën e energjisë së gjelbër dhe klimës, me synim përfshirjen më të madhe të nxënësve në iniciativat lokale dhe në proceset e planifikimit për energjinë dhe klimën në Kosovë.
Marrëveshja për grantin dhe prezantimi i projektit “Youth Empowerment in Green Energy” u zhvilluan në Drenas, ku morën pjesë përfaqësues të komunës, partnerë të projektit, mësimdhënës dhe nxënës.
Në kuadër të projektit do të krijohen 30 Klube të Ekos në 10 komuna të Kosovës. Përmes tyre, nxënësit do të zhvillojnë iniciativa për klimën dhe energjinë e gjelbër, do të shkëmbejnë përvoja dhe do të marrin trajnime dhe mbështetje për t’i shndërruar idetë e tyre në iniciativa konkrete.
Projekti synon që të rinjtë të mos kufizohen vetëm në edukimin për ndryshimet klimatike dhe energjinë, por të përfshihen edhe në çështjet që lidhen me komunitetet ku jetojnë. Bashkëpunimi me shkollat dhe komunat do t’u mundësojë nxënësve të kontribuojnë në planifikimin lokal për klimën dhe energjinë dhe të kenë zë në vendimmarrjen që prek komunitetet e tyre, përcjell Energy monitor.
Përfshirja e të rinjve në këto procese lidhet edhe me nevojën për të rritur njohuritë mbi energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë dhe ndryshimet klimatike, në një kohë kur Kosova po përballet me transformime të rëndësishme në sistemin energjetik.
Projekti zbatohet në kuadër të programit “Support to the Climate and Energy Transition Partnership”, i cili mbështetet nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore (BMUKN), përmes Iniciativës Ndërkombëtare për Klimën (IKI), dhe zbatohet nga GIZ.
Nisma vjen në kuadër të përpjekjeve më të gjera për të lidhur politikat kombëtare për klimën dhe energjinë me veprime konkrete në nivel lokal, duke përfshirë edhe gjeneratat e reja në procesin e tranzicionit energjetik të Kosovës.



