Home / Lajme / Rajoni / Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut forcojnë bashkëpunimin energjetik rajonal

Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut forcojnë bashkëpunimin energjetik rajonal

Ministrat e energjisë të Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut u mblodhën të martën në Beograd për takimin e dytë katërpalësh, me fokus forcimin e sigurisë energjetike, diversifikimin e furnizimit dhe zhvillimin e infrastrukturës së përbashkët në Evropën Juglindore dhe Qendrore.

Në takimin e 6 tetorit morën pjesë ministrja serbe në mandatin teknik, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ministri grek i Mjedisit dhe Energjisë, Stavros Papastavru, ministrja bullgare e Energjisë, Iva Petrova, si dhe ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale e Maqedonisë së Veriut, Sanja Bozhinovska. Në takim morën pjesë edhe drejtues të operatorëve të sistemeve të transmetimit të gazit dhe energjisë elektrike nga katër vendet.

Ministrat u pajtuan se siguria energjetike në rajon kërkon bashkëpunim më të ngushtë, integrim të tregjeve të energjisë elektrike dhe gazit, rritje të fleksibilitetit të sistemeve dhe investime të mëtejshme në rrjetet e transmetimit dhe infrastrukturën energjetike, përcjell Energy monitor.

Një nga temat kryesore ishte zhvillimi i Korridorit Vertikal të Gazit dhe përfshirja e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut në këtë nismë. Të dy vendet tashmë janë përfshirë përmes operatorëve të tyre të transmetimit, ndërsa së shpejti pritet të nisë ndërtimi i interkonektorit të gazit ndërmjet tyre.

Interkonektori Serbi–Maqedoni e Veriut do të lidhet me projektin që aktualisht po ndërtohet ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas deklarimeve në samit, pjesa greke e këtij projekti pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2026, ndërsa segmenti në territorin e Maqedonisë së Veriut gjatë vitit 2027.

Korridori pritet të krijojë një rrugë shtesë për furnizimin e tregjeve të rajonit me gaz natyror të lëngshëm nga terminali i Aleksandoupolit në Greqi, përveç rrugëve ekzistuese përmes Bullgarisë. Sipas ministrave, kapaciteti eksportues i infrastrukturës greke drejt veriut pritet të arrijë në 9.5 miliardë metra kub në vit deri në vitin 2027.

Në diskutime u përfshi edhe mundësia e përdorimit të infrastrukturës së re të gazit për transportin e hidrogjenit në të ardhmen. Ministrat theksuan gjithashtu nevojën për koordinim më të mirë ndërmjet operatorëve të sistemeve të transmetimit dhe shfrytëzim më efikas të infrastrukturës ekzistuese, për të eliminuar pengesat që kufizojnë rrjedhat ndërkufitare.

Në sektorin e energjisë elektrike, ministrat diskutuan forcimin e interkoneksioneve dhe zhvillimin e rrjeteve të transmetimit, përfshirë projekte të reja 400 kV që synojnë të rrisin kapacitetet për shkëmbimin e energjisë elektrike ndërmjet vendeve të rajonit.

Një nga projektet e përmendura ishte Korridori Qendror-Ballkanik, një drejtim i ri i transmetimit me tension 400 kV që synon të rrisë sigurinë e furnizimit dhe mundësitë për shkëmbimin e energjisë elektrike. Diskutimet përfshinë edhe rritjen e kapaciteteve të magazinimit, përfshirë bateritë dhe hidrocentralet me pompim, për të mundësuar integrimin e më shumë energjie të ripërtëritshme në sistemet elektrike.

Ministrat diskutuan gjithashtu integrimin e mëtejshëm të tregjeve të energjisë elektrike të vendeve të Komunitetit të Energjisë me tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. Greqia dhe Bullgaria, si vende anëtare të BE-së, pritet të mbështesin Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në dialogun me institucionet evropiane për integrimin e tregjeve dhe çështje të tjera të sektorit energjetik.

Takimi i Beogradit ishte vazhdim i takimit të parë katërpalësh të mbajtur në Athinë në maj. Ministrat ranë dakord që takimi i ardhshëm të zhvillohet në Sofje, ndërsa në të ardhmen pritet të ftohet edhe Rumania për t’iu bashkuar formatit.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com