Rreth 63 minatorë të Trepçës kanë mbetur nën tokë në horizontin e 11-të të minierës në Stan Tërg, pas një defekti në pajisjet elektrike që ka ndërprerë furnizimin me energji. Ekipet teknike dhe shërbimet e emergjencës janë duke punuar për sanimin e defektit dhe nxjerrjen e minatorëve.
Minatorët janë pjesë e ndërrimit të dytë, i cili përfundon në orën 23:00. Sipas ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila ka reaguar pas incidentit, menaxhmenti i Trepçës ka njoftuar se minatorët janë në gjendje të mirë.
Ndërkohë, po organizohet dalja graduale e tyre përmes daljes emergjente, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikthimin e furnizimit me energji elektrike, përcjell Energy monitor.
Në vendngjarje ndodhen menaxhmenti i Trepçës, ekipet përkatëse të shpëtimit, si dhe Policia dhe zjarrfikësit.
Incidenti i sotëm vjen pas rasteve të mëparshme të ngjashme në minierën e Trepçës, ku ndërprerjet e energjisë kanë shkaktuar probleme me nxjerrjen e minatorëve nga nëntoka.
Në maj, 49 minatorë mbetën të bllokuar për rreth 13 orë në horizontin e 11-të, pasi djegia e një trafo-stacioni kishte nxjerrë jashtë funksionit liftin. Një pjesë e tyre u detyrua të përdorte shkallët emergjente për të dalë në sipërfaqe.



