Home / Lajme / Kosova / Schuebel në takim me Rizvanollin: Mbi 200 mijë familje kanë përfituar nga Pakoja Energjetike e BE-së

Schuebel në takim me Rizvanollin: Mbi 200 mijë familje kanë përfituar nga Pakoja Energjetike e BE-së

Më shumë se 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë kanë përfituar nga Pakoja e Bashkimit Evropian për Mbështetje Energjetike, ka bërë të ditur ambasadori i ri i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel.

Schuebel e bëri të ditur këtë gjatë takimit me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përfshirë mbështetjen për tranzicionin drejt energjisë së pastër.

Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, në takim u diskutua mbështetja për tranzicionin energjetik përmes projekteve të financuara nga Instrumenti i Para-Anëtarësimit (IPA), si dhe zbatimi i reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen financiare të lidhur me të.

“Diskutuam gjithashtu zbatimin e suksesshëm të Pakos së BE-së për Mbështetje Energjetike, nga e cila kanë përfituar më shumë se 200,000 familje dhe 154 biznese”, tha Schuebel.

Ai shtoi se BE-ja mbetet partneri më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare për vendin, përcjell Energy monitor.

Pakoja e Mbështetjes Energjetike e BE-së ka përfshirë masa për të ndihmuar familjet dhe bizneset për përballimin e krizës energjetike, si dhe investime që synojnë uljen e konsumit dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë.

Në takim, Schuebel e përgëzoi Rizvanollin për rizgjedhjen në detyrë, ndërsa ministrja e Ekonomisë e uroi për marrjen e detyrës së ambasadorit të ri të BE-së në Kosovë. Të dy palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim më të ngushtë gjatë mandatit të tij.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com