Home / Lajme / Kosova / Pas kancelarit Merz, Kurti diskuton mundësitë e investimeve në energji edhe me kancelarin austriak

Pas kancelarit Merz, Kurti diskuton mundësitë e investimeve në energji edhe me kancelarin austriak

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar me kancelarin federal të Austrisë, Christian Stocker, për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në energji, hekurudha dhe teknologji digjitale, në një takim të mbajtur në Shën Stefan.

Sipas Kurtit, kompanitë austriake dhe diaspora kosovare po investojnë gjithnjë e më shumë në këta sektorë, të cilët mund të krijojnë mundësi të reja për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Në një postim në Facebook, Kurti tha se takimi u përqendrua edhe në prioritetet e Qeverisë së Kosovës për mandatin e ri dhe avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, përcjell Energy Monitor.

Ai përmendi gjithashtu përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian, duke bërë të ditur se janë përmbushur kushtet ligjore për integrimin në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA), ndërsa përfshirja në zonën e roamingut të Bashkimit Evropian mbetet në pritje të nisjes së negociatave.

Kurti përsëriti qëndrimin se Kosova është e gatshme të avancojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, përfshirë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Ai mbështeti gjithashtu deklaratën e Stockerit se Bashkimi Evropian nuk është i plotë, i sigurt dhe i qëndrueshëm pa Ballkanin Perëndimor dhe se vendet kandidate duhet të trajtohen me kushte të barabarta.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com