Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka pritur në takim një delegacion gjerman, me të cilin ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, tranzicionin energjetik dhe sigurinë e furnizimit në Kosovë.
Delegacioni u kryesua nga Micong Klimes, zyrtare e lartë për politikat për Kosovën në Ministrinë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ).
Gjatë takimit, palët shkëmbyen pikëpamje për progresin e deritanishëm dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus në zgjerimin e energjisë së ripërtëritshme, modernizimin e infrastrukturës energjetike dhe zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për ngrohje, përcjell Energy Monitor.
Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Klimes në Kosovë, gjatë së cilës ajo pritet të takohet me institucionet partnere të bashkëpunimit kosovaro-gjerman, të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Kosovaro-Gjerman dhe të vizitojë projekte të mbështetura nga Gjermania.
Në takim morën pjesë edhe Daniel Alker, udhëheqës i Departamentit për Bashkëpunim në Ambasadën Gjermane; Markus Delfs, drejtor i GIZ-it; Moritz Reme, udhëheqës i Zyrës së KfW-së; Jörg Melicke nga KfW; Josephine Schmiereck nga GIZ; Ganimete Huruglica nga KfW dhe Avni Sfishta nga GIZ Kosovo.



