Home / Lajme / Energjia e ripërtëritshme / Ankandet e energjisë në Kosovë në fokus të investitorëve gjermanë

Ankandet e energjisë në Kosovë në fokus të investitorëve gjermanë

Mundësitë për të rritur pjesëmarrjen e investitorëve gjermanë në ankandet e ardhshme për energjinë e ripërtëritshme në Kosovë ishin në fokus të një diskutimi të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), me mbështetjen e GIZ Kosovo.

Në tryezën e diskutimit morën pjesë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendës-shefja e Misionit të Ambasadës Gjermane në Kosovë, Silke Bellmann, përfaqësues të institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë, ekspertë të sektorit energjetik dhe kompani private.

Diskutimi u përqendrua në mësimet e nxjerra nga ankandet e para për energjinë diellore dhe të erës, si dhe në planet për ankandet e ardhshme.

Investitorët kërkojnë procedura të qarta

Pjesëmarrësit vlerësuan përparimin e bërë deri tani në zhvillimin e ankandeve, por diskutuan edhe sfidat që ndikojnë në interesimin e investitorëve të huaj.

Ndër çështjet kryesore u veçuan nevoja për procedura të qarta, siguri juridike dhe infrastrukturë të përshtatshme për investimet në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.

Rekomandimet e dala nga diskutimi pritet të kontribuojnë edhe në diskutimet më të gjera për energjinë gjatë Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar 2026.

OEGJK tha se ky diskutim shënon fillimin e një serie aktivitetesh që synojnë rritjen e investimeve në sektorin energjetik përmes partneritetit gjermano-kosovar.

Kompani gjermane pjesë e ankandit të erës

Interesimi gjerman për tregun kosovar të energjisë së ripërtëritshme është tashmë i pranishëm edhe në ankandin e parë të vendit për energjinë e erës. NOTUS Energy, kompani gjermane e zhvillimit të projekteve të energjisë së ripërtëritshme, është pjesë e procesit të ankandit për një park me erë në Kosovë.

Konsorciumi i përbërë nga NOTUS Energy GmbH dhe Stublla Energy LLC është një nga tre ofertuesit e kualifikuar që kanë dorëzuar oferta në ankandin e zhvilluar nga Ministria e Ekonomisë për energjinë e erës. Procesi tani vijon me vlerësimin ligjor, administrativ dhe teknik të ofertave.

E njejta kompani kishte aplikuar edhe në ankandin për kapacitete solare, të mbajtur vite më parë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com