Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka dorëzuar në Komisionin parlamentar për Ekonomi një analizë të pavarur për Projektligjin për Energjinë, së bashku me amendamente konkrete që synojnë të forcojnë mbrojtjen e konsumatorëve, pavarësinë e rregullatorit dhe rolin e komunave në planifikimin energjetik.
Analiza, e publikuar më 23 tetor, identifikon 15 fusha kryesore ku, sipas INDEP-it, projektligji duhet të plotësohet ose të ndryshohet në mënyrë që dispozitat e tij të jenë më të qarta dhe të zbatueshme. Rekomandimet përfshijnë dekarbonizimin, varfërinë energjetike, tarifat e rrjetit, liberalizimin e tregut dhe planifikimin e infrastrukturës energjetike, përcjell Energy Monitor.
INDEP vlerëson se projektligji përmban përmirësime të rëndësishme, përfshirë njohjen e konsumatorëve aktivë, ruajtjen e energjisë, reagimin e kërkesës dhe nevojën për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm. Megjithatë, organizata argumenton se disa dispozita kanë nevojë për përgjegjësi institucionale më të qarta, afate konkrete dhe mekanizma financimi që do të mundësonin zbatimin e tyre.
Vonesa në miratimin e ligjit dhe përgjegjësitë institucionale
Sipas INDEP-it, vonesa në miratimin e legjislacionit energjetik ka zgjatur rreth dy deri në tre vjet krahasuar me afatin e përgjithshëm të përafrimit me kërkesat e Komunitetit të Energjisë, më 31 dhjetor 2023. Instituti vlerëson se vonesa nuk duhet të jetë arsye për miratimin e dispozitave të paqarta dhe se shqyrtimi parlamentar para leximit të dytë ofron mundësi për përmirësimin e ligjit.
Një nga kundërshtimet kryesore lidhet me propozimin që Strategjia e Energjisë të miratohet nga Qeveria dhe jo nga Kuvendi. INDEP argumenton se strategjia përcakton drejtimet afatgjata të investimeve, financave publike dhe punësimit, prandaj duhet të miratohet nga Kuvendi. Instituti kundërshton gjithashtu bartjen e ushtrimit të të drejtave të aksionarit të KOSTT-it nga Kuvendi te ekzekutivi.
Analiza vë në pah edhe mungesën e një objektivi të qartë për arritjen e emetimeve neto zero në sektorin e energjisë deri në vitin 2050. INDEP rekomandon që strategjia energjetike, Plani Kombëtar për Energjinë dhe Klimën dhe programet zbatuese të përdorin skenarë të harmonizuar, me institucione përgjegjëse, afate, kosto, burime financimi dhe tregues të rezultateve, njofton Energy Monitor.
Në aspektin e planifikimit, instituti kërkon kompetenca më të mëdha dhe financim të dedikuar për komunat, në mënyrë që ato të mund të hartojnë dhe zbatojnë plane lokale të energjisë dhe klimës. Për operatorët e rrjeteve, rekomandohet publikimi i hartave të rrjetit, kapaciteteve të disponueshme për kyçje, kufizimeve kryesore dhe investimeve të planifikuara, duke ruajtur informacionet që lidhen me sigurinë e infrastrukturës.
Pavarësia e rregullatorit dhe mbrojtja e konsumatorëve
INDEP kërkon gjithashtu që Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të ketë pavarësi më të qartë në vendimet për tarifat, licencat dhe obligimet e shërbimit publik. Sipas rekomandimeve, këto kompetenca nuk duhet të cenohen nga ndërhyrjet ministrore. Instituti propozon që ZRRE-ja të vendosë për obligimet e shërbimit publik, ndërsa Qeveria të sigurojë financimin e masave sociale dhe atyre për sigurinë e furnizimit.
Një tjetër çështje e trajtuar është mbrojtja e konsumatorëve të cenueshëm. INDEP vlerëson se projektligji duhet të përcaktojë kritere të qarta për përfitimin e mbështetjes, si dhe një afat prej 30 ditësh për shqyrtimin e kërkesave për njohjen e statusit të konsumatorit të cenueshëm. Rekomandimet përfshijnë mbështetjen minimale për nevojat bazë të energjisë, mbrojtjen nga ndërprerja e furnizimit në raste kritike, përfshirë kur energjia nevojitet për pajisje mjekësore, si dhe masa për ngrohje më efikase dhe përmirësimin e banesave.
Sipas INDEP-it, varfëria energjetike nuk duhet të përcaktohet vetëm përmes faturave të papaguara. Ajo duhet të përfshijë edhe familjet që detyrohen ta kufizojnë konsumin sepse nuk kanë mundësi ta përballojnë koston e energjisë. Instituti kërkon që programet vjetore të mbështetjes të përfshijnë buxhetin, burimet e financimit, numrin e pritshëm të përfituesve dhe treguesit e rezultateve, raporton Energy Monitor.
Në lidhje me tarifat, INDEP rekomandon që tarifat e rrjetit të mbulojnë vetëm shërbimet përkatëse të rrjetit, ndërsa masat sociale të financohen përmes burimeve të përcaktuara veçmas. Ndërhyrjet në çmime, sipas propozimit, duhet të vendosen nga ZRRE-ja, të jenë të kufizuara në kohë, të arsyetuara dhe të rishikohen të paktën çdo gjashtë muaj.
Transparenca, projektet energjetike dhe hapat e ardhshëm
Instituti kërkon edhe që projektet me rëndësi të veçantë t’i nënshtrohen konsultimit publik, analizës së alternativave, vlerësimit të kostove gjatë gjithë ciklit të jetës, ndikimit klimatik dhe rreziqeve fiskale. Po ashtu, propozohet që konsultimi publik për planet e zhvillimit të rrjetit të zgjatet nga 15 në 30 ditë.
INDEP thekson se mungesa e Projektligjit për Rregullatorin e Energjisë në të njëjtën pako e lë reformën të paplotë, pasi zgjerimi i tregut dhe përgjegjësitë e reja kërkojnë trajtim të përbashkët të pavarësisë dhe kompetencave të rregullatorit.
Instituti u ka bërë thirrje deputetëve që t’i shqyrtojnë amendamentet para leximit të dytë dhe të sigurojnë që ligji të përmbajë detyrime të zbatueshme, mbrojtje efektive për konsumatorët dhe kushte më të mira për tranzicionin energjetik.



