Home / Lajme / Tjera / Barometri i Ballkanit: 76% e qytetarëve të Kosovës kanë si përparësi uljen e çmimit të energjisë

Barometri i Ballkanit: 76% e qytetarëve të Kosovës kanë si përparësi uljen e çmimit të energjisë

Ulja e çmimit të energjisë elektrike është prioriteti kryesor energjetik për qytetarët e Kosovës, ndërsa shumica e të anketuarve mbështesin edhe investimet më të mëdha në burimet e ripërtëritshme, madje edhe nëse ato sjellin kosto më të larta në afat të shkurtër.

Sipas Barometrit të Ballkanit 2025, të publikuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), 76% e të anketuarve në Kosovë e kanë identifikuar uljen e çmimeve të energjisë si prioritetin më të rëndësishëm energjetik për vendin.

Në të njëjtën pyetje, 11% kanë përzgjedhur investimet në energjinë e ripërtëritshme, 7% uljen e varësisë nga importi i energjisë, ndërsa 5% sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm. Vetëm 1% kanë përmendur reduktimin e ndikimit mjedisor të prodhimit të energjisë, përcjell Energy Monitor.

Megjithatë, kur janë pyetur nëse do të mbështesnin investime më të mëdha në burimet e ripërtëritshme, si energjia diellore, ajo e erës dhe hidroenergjia, edhe nëse kjo do të nënkuptonte çmime më të larta të energjisë në afat të shkurtër, 63% janë përgjigjur pozitivisht. Ndërkaq, 31% janë shprehur kundër, ndërsa 6% nuk kanë dhënë përgjigje ose nuk kanë pasur qëndrim të përcaktuar.

Sa i përket kënaqësisë me furnizimin aktual me energji në zonën ku jetojnë, duke përfshirë besueshmërinë dhe përballueshmërinë e tij, 14% janë shprehur shumë të kënaqur dhe 41% të kënaqur. Në anën tjetër, 20% janë deklaruar të pakënaqur dhe 5% shumë të pakënaqur, ndërsa 19% kanë dhënë përgjigje neutrale, raporton Energy Monitor.

Rezultatet tregojnë se, ndonëse ulja e çmimeve mbetet shqetësimi kryesor i qytetarëve, ekziston edhe mbështetje për zhvillimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme, përfshirë mundësinë e kostove më të larta në afat të shkurtër.

Barometri i Ballkanit është anketë vjetore e RCC-së që mat perceptimet e qytetarëve dhe bizneseve në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor. Anketa e opinionit publik për vitin 2025 përfshiu 6,012 qytetarë në rajon dhe u realizua nga 21 maji deri më 30 qershor 2025.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com