Home / Lajme / Rajoni / Çmimi i gazit në Maqedoninë e Veriut rritet për 211%, paralajmërohet shtrenjtimi i ngrohjes në Shkup

Çmimi i gazit në Maqedoninë e Veriut rritet për 211%, paralajmërohet shtrenjtimi i ngrohjes në Shkup

Çmimi i gazit natyror në Maqedoninë e Veriut është rritur për 211 për qind që nga fillimi i vitit, ndërsa vetëm gjatë tetorit është shtrenjtuar për 36 për qind. Rritja pritet të ndikojë edhe në tarifat e ngrohjes qendrore në Shkup, ku rreth 60 mijë familje varen nga ky sistem.

Eksperti i energjisë Mitko Andreevski tha në televizionin Telma se shtrenjtimi i energjisë termike në kryeqytet është i pashmangshëm dhe se vendimi për tarifat pritet të merret nga rregullatori.

Sipas tij, rritja e kostos së gazit do të ushtrojë presion mbi buxhetet familjare, por edhe mbi politikat energjetike që do të duhet të ndjekë Qeveria.

Andreevski kundërshtoi idenë që Shkupi të heqë dorë nga ngrohja qendrore për shkak të varësisë nga gazi natyror. Ai argumentoi se ky sistem ka rëndësi edhe për luftimin e ndotjes së ajrit në qytet.

Sipas tij, në rast të ndërprerjes së furnizimit me energji termike, dhjetëra mijëra familje do të detyroheshin t’i ngrohnin banesat me energji elektrike, duke shtuar ngarkesën mbi rrjetin elektrik.

Shqetësime për mirëmbajtjen e gazsjellësve

Andreevski tha se Maqedonia e Veriut nuk përballet me mungesë të gazit natyror, por ngriti shqetësime për gjendjen dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së gazsjellësve.

Ai përmendi linjat Kleçovcë–Shtip, Shtip–Negotinë dhe Negotinë–Manastir, ndërtimi i të cilave kishte nisur gjatë viteve 2015–2016. Sipas tij, është shqetësuese që këto linja po inspektohen pas rreth një dekade.

Deklaratat e ekspertit vijnë në fillim të sezonit të ngrohjes qendrore në Shkup, i cili këtë vit nisi më 13 tetor, dy ditë para datës së zakonshme.

Ndërkohë, në Çair është vënë në funksion një impiant i ri kogjenerues me gaz natyror, i cili prodhon njëkohësisht energji elektrike dhe termike për sistemin e ngrohjes në Çair dhe Butel.

Rritja e çmimit të gazit paraqet një sfidë për sistemet e ngrohjes që varen nga ky burim energjie, veçanërisht në periudhën e dimrit, kur kërkesa për ngrohje dhe energji elektrike rritet.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com