Home / Lajme / Kosova / Inflacioni prej 7.8 për qind, Rafuna kërkon uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën

Inflacioni prej 7.8 për qind, Rafuna kërkon uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën

Rritja e çmimeve në Kosovë po shton thirrjet për ndërhyrjen e Qeverisë. Pas publikimit të të dhënave për inflacionin prej 7.8 për qind në shtator, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dhe ekonomisti Bashkim Mustafa kanë kërkuar masa për të zbutur barrën mbi qytetarët dhe bizneset.

Rafuna ka vlerësuar se në rritjen e inflacionit kanë ndikuar disa faktorë, ndër ta çmimi i energjisë elektrike, shtrenjtimi i derivateve të naftës dhe zhvillimet gjeopolitike. Ai ka kërkuar që Qeveria ta shqyrtojë uljen e akcizës dhe TVSH-së për derivatet, si dhe të përgatisë një pako mbështetëse për bizneset.

“Qeveria duhet të përgatisë një paketë që do t’i ndihmojë së pari bizneset dhe përmes bizneseve t’i ndihmojë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të mos ta ndiejnë kaq thellë inflacionin”, ka deklaruar Rafuna për Ekonomia Online, përcjell Energy Monitor.

Kreu i Odës Ekonomike ka përmendur gjithashtu ndikimin e çmimit të energjisë elektrike dhe kalimin e bizneseve në tregun e lirë, duke vlerësuar se ky proces duhej të shoqërohej me një periudhë tranzicioni dhe përgatitje më të mirë.

Ndërkaq, ekonomisti Bashkim Mustafa ka kritikuar mungesën e masave konkrete nga Qeveria, duke kërkuar indeksimin e të ardhurave për kategoritë më të prekura, përfshirë pensionistët dhe përfituesit e asistencës sociale.

Mustafa ka kërkuar gjithashtu që të rifillojnë projektet kapitale të Qeverisë, të cilat, sipas tij, ndikojnë në qarkullimin e parasë dhe në aftësinë financiare të bizneseve.

Ai ka theksuar se varësia e lartë e Kosovës nga importi i produkteve e bën ekonominë vendore më të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sipas tij, rritja e çmimeve të derivateve ndikon drejtpërdrejt në kostot e transportit dhe të produkteve të tjera.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në shtator arriti në 7.8 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Në raport me gushtin, çmimet e konsumit u rritën për 0.2 për qind.

Rritjen më të madhe vjetore e shënoi transporti, me 23.9 për qind. Pas tij u rendit grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me 11.9 për qind. Çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën për 2.4 për qind.

Rritja e çmimeve të energjisë ka qenë një nga shqetësimet kryesore të bizneseve edhe gjatë procesit të përcaktimit të tarifave për vitin 2026. KESCO kishte kërkuar rritje të tarifave prej më shumë se 20 për qind, duke përmendur kostot e furnizimit dhe nevojën për import të energjisë elektrike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com