Konsumatorët në Kosovë duhet të marrin dy njoftime para se t’u ndërpritet furnizimi me energji elektrike për shkak të faturave të papaguara. Këtë e përcakton Rregullorja e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve.
Fillimisht, konsumatori duhet të paralajmërohet për borxhin e papaguar dhe t’i jepet një afat prej së paku 15 ditësh kalendarike pas përfundimit të afatit të pagesës.
Nëse borxhi nuk shlyhet, ndërmarrja e energjisë duhet të dërgojë një njoftim të dytë, ku përcaktohet data e ndërprerjes së furnizimit. Ky njoftim duhet të dërgohet së paku tri ditë para shkyçjes.
Procedurat marrin rëndësi të veçantë duke pasur parasysh numrin e lartë të ndërprerjeve në Kosovë. Sipas të dhënave të ZRrE-së, KEDS ka realizuar 278,810 shkyçje gjatë vitit 2025 dhe deri më 25 shtator 2026.
Rregullorja përcakton gjithashtu se shkyçja duhet të jetë masa e fundit, pasi të jenë shteruar mundësitë e tjera për shmangien e ndërprerjes së furnizimit. Ajo parasheh edhe të drejtën e konsumatorëve për të kundërshtuar shkyçjen dhe masa të veçanta për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.
Për më shumë rreth afateve, përmbajtjes së njoftimeve dhe të drejtave të konsumatorëve, lexoni artikullin e plotë të Buletinit Ekonomik.



